ZGJEDHJET PARLAMENTARE

BDI mbajti tubim në Butel dhe Hasanbeg (FOTO)

17.04.2014 19:59

Karvani i BDI-së ndaloi mbrëmë në lagjet Shuto Orizare, Butel dhe Hasanbeg të Shkupit, ku bëri prezantimin e platformës me moton “Bashkë më mirë, Bashkë më të fortë, Bashkë për Evropë”……..

Karvani i BDI-së ndaloi mbrëmë në lagjet Shuto Orizare, Butel dhe Hasanbeg të Shkupit, ku bëri prezantimin e platformës me moton “Bashkë më mirë, Bashkë më të fortë, Bashkë për Evropë”. Qytetarëve të tubuar iu drejtuan krerët e partisë, si dhe kandidatët për deputetë në njësinë numër dy.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha gjatë fjalimit të tij se BDI është gjithmonë në vendin e duhur, kur duhet guxim dhe rebelizëm për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve. Për të sqaruar argumentin, lideri i integristëve, Ali  Ahmeti, tha se BDI luan herë pas here edhe rolin e opozitës, meqë vetë opozita apo ajo që e quan vetën të tillë, merret vetëm me shpifje. Ne përherë kemi apeluar se ne shqiptarëve në Maqedoni nuk na duhen më shumë se dy parti, tre, katër ose pesë, pasi kështu shpërndahen votat, përçahen votat. Ne kemi nevojë për një front shumë më të fortë, dy parti le të jenë, njëra që kryen rolin e pozitës dhe tjetra një opozitë e mençur, por jo opozitë që merret me përralla dhe shpifje ditore, ka deklaruar Ali Ahmeti.

“Ju sigurisht që keni parë se kur duhet guximi dhe rebelizmi, ne jemi aty. Ligji për Branitellat pse nuk kaloi? Sepse ne bëjmë edhe rolin e pozitës, por edhe të opozitës. Unë jam i kalitur si opozitar dhe kam përmbysur një Jugosllavi dhe këtë le ta dinë mirë të gjithë. Por unë dua që në këtë vend të shkrihen akujt mes komuniteteve dhe mos të shihemi si armiq, ne nuk e kemi ndërmend të lëshojmë vatrat tona, shekujt që kemi lënë pas kemi paguar çmim të lartë, kur shqiptarët për një pushkë dënoheshin me nga 20 vjet burg. Sot kohërat kanë ndryshuar, ne jemi në tokën tonë”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Mospjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet e se dielës për zgjedhjen e presidentit, është në fakt përkrahje e idesë kombëtare të kandidatit konsenzual që parashtroi BDI, ka shtuar kreu i partisë, Ali Ahmeti.

“Jo presidentit të njëanshëm! Kohërat kanë ndryshuar, zgjidhet president dhe harron se ka shqiptarë këtu në këtë vend. Më 27 prill ju do të votoni BDI-në, por jo edhe kandidatët për president. Dikush thotë jo Stevo, jo Ivanovi. Ata nuk janë zgjidhja jonë, pasi 90 % e shqiptarëve më 13 prill përqafuan idenë tonë. Ne do të punojmë për referendumin që bënë shqiptarët më 13 prill të vitit 2014. Se a do ta realizojmë tani apo pas 5 viteve, nuk është problematike, me rëndësi është se kjo ide nuk ka kthim pas dhe ajo do të realizohet”, - u shpreh më tej Ahmeti.

Ai tha se në BDI mbretëron bindja se vendit nuk do t’i ndodhte asnjë e keqe nëse një institucion i caktuar do të drejtohej nga një shqiptar. Ideja jonë nuk ka qëllim të frikësojë maqedonasit, por kërkon që të forcojë lidhjen mes dy komuniteteve më të mëdha”, - deklaroi  Ahmeti, duke shtuar se BDI nuk është thjesht një strukturë partiake, por një lëvizje misionare shqiptare dhe se kjo është dëshmuar me vullnetin e shprehur radhazi për 12 vite nga shqiptarët e Maqedonisë.

“Nga këtu, nga kjo shkollë, unë u bëj ftesë të gjithë atyre që kanë hezitim, le të radhiten në rreshtin e të gjitha vulave të përparimit të çështjes shqiptare në Maqedoni. Ju jeni vula që zyrtarizuat këtë flamur shqiptar, ju vendosët themelet e arsimit shqiptar. Vula juaj është përfaqësimi në çdo vend dhe institucion, është vula e sakrificës dhe e gjakut të shqiptarëve. Nuk do të zhgënjeheni, pasi drejtoheni nga një brez shqiptarësh, kuadro të dëshmuar. Po të përparojë kombi, ecin përpara të gjithë. Ne këtë popull nuk e drejtojmë për pushtet, por u themi se ky shtet është edhe i yni dhe nuk ka çka ju mbetet hatri të tjerëve”, -  potencoi Ahmeti.

Kryesuesi i listës së deputetëve për njësinë e dytë zgjedhore, Rexhail Ismaili, tha se shqiptarët vendosin vetë se kush do t’i përfaqësojë ata në qeveri.

“Ne jemi gati për të marrë mbi supe sfidat e radhës politike, por ne asnjëherë nuk do të jemi gati për aleanca të dëmshme për shqiptarët. Politikat tona për përparim ekonomik janë në rrugë të drejtë. Janë realizuar shumë projekte. Këto që po i them para jush nuk janë vetëm fjalë, por janë vepra që mund të shihen dhe të preken nga të gjithë ju.”, - tha kryesuesi i listës së deputetëve në njësinë numër dy nga radhët e BDI-së, Rexhail Ismaili.

Kandidatja për deputete, Shkodrane Dardhishta, tha se populli vendos cila parti do të jetë në qeveri, këtë nuk mund ta bëjnë marrëveshjet e arritura kafeneve.

 

“BDI i ka rrënjët të ujitura me gjak nëpër fronte, e jo me vera e shampanja të lokaleve japoneze. Haptazi ju bëjmë thirrje se edhe 162 deputet po të fitoni, pa BDI-në nuk mund të krijoni qeveri”, u shpreh kandidatja për deputete nga BDI, Shkodrane Dardhishta.

Në vijim, ajo u bëri thirrje shqiptarëve që më 27 prill të përkrahin BDI-në dhe listën e saj për deputet, me qëllim që siç tha, projektet e filluara nga ky ekip të përfundojnë me sukses dhe me këtë BDI të marrë fuqi edhe më të madhe gjatë qeverisjes së ardhshme.

Sonte BDI do të shpalosë platformën e saj përpara banorëve të Manastirit dhe të Resnjës. (Besimi Abdullai, TVM2)