Maqedoni

Garet: Anulimi eventual i zgjedhjeve krijon pasiguri dhe konfuzitet

11.10.2016 16:48

Ambasadori i Britanik në Maqedoni, Carls Garet, thotë se çelësi për zgjidhjen afatgjate të krizës në Maqedoni...

Ambasadori i Britanik në Maqedoni, Carls Garet, thotë se çelësi për zgjidhjen afatgjate të krizës në Maqedoni është pjesërisht në vërtetimin e të së vërtetës nga afera e përgjimeve, por edhe në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
 
Sipas tij, kriza në Maqedoni është thellë e rrënjëzuar si rezultat i problemeve nga mënyra e funksionimit të demokracisë dhe qeverisjes, dhe kjo nuk mund të zgjidhet brenda natës, nëpërmjet zgjedhjeve, por theksoi se mbajtja e zgjedhjeve është një hap i rëndësishëm për dalje nga kriza. 
 
“Ajo do të merr shumë kohë, ndoshta edhe një vit për t’u kryer këto punë me sukses. Zgjedhjet do të jenë vetëm përfundim i një faze të caktuar në këtë proces dhe kjo do të jetë shumë e nevojshme. Në rast se zgjedhjet më 11 dhjetor kalojnë në mënyrën më të mirë, nëse janë të besueshme, ky do të jetë hapi parë i kthimit të Maqedonisë në vendin ku duhet të jetë”,- u shpreh Garet për BIRN.
 
Ambasadori Garet shpreson se pas anulimit të dy datave për mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit, zgjedhje të parakohshme parlamentare do të mbahen siç është paraparë. Ai gjithashtu tha se prolongimi eventual i zgjedhjeve vetëm do të shkaktojë pasiguri dhe konfuzitet. 
 
“Liderët e katër partive janë marrë vesh për datën e zgjedhjeve. Ata janë pajtuar se për t’u mbajtur zgjedhjet, kushtet janë përmbushur. Të gjithë thonë se duan zgjedhje dhe zgjedhjet duhet të mbahen. Unë personalisht mendoj dhe besoj se ata do ta bëjnë këtë për arsye se mendoj se nëse ky ciklus vazhdon, do të jetë shumë i dëmshëm për vendin”- theksoi Garet.
 
Diplomati britanik ka shprehur mbështetje për Prokurorinë Speciale. Ai pret që politikanët, të cilët vjet u pajtuan për formimin e kësaj prokurorie si pjesë e Marrëveshjes së BE-së për krizën, tani duhet t’i përgjigjen edhe kërkesave të prokurores speciale për vazhdimin e mandatit dhe përmirësimin e sistemit të mbrojtjes se dëshmitarëve. 
 
BESIM ABDULLAI