Maqedoni

Opozita në marshin "Lufta vazhdon, vota fiton", Zaev: Do ta kthejmë çdo gjë që vodhën

11.10.2016 17:47

Opozita maqedonase e kryesuar nga LSDM dhe “Revolucioni i larmë” shënuan 11 Tetorit me marsh qytetar...

Opozita maqedonase e kryesuar nga LSDM dhe “Revolucioni i larmë” shënuan 11 Tetorit me marsh qytetar, i cili filloi para hapësirave të Prokurorisë Publike Speciale dhe përmes bulevardit "Aradhat partizane" iu drejtua Parlamentit.
 
Në fjalimin e tij para marshuesve, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, akuzoi pushtetin aktual për kapjen e institucioneve dhe vjedhje të fondeve publike. Ai ftoi qytetarët që ta rrëzojnë këtë pushtet me votë dhe t’i bashkëngjiten nismës për një Maqedoni qytetare. Sipas tij, marshi, ndër të tjera, kishte për qëllim që të sensibilizojë opinionin për të rikthyer institucionet dhe drejtësinë në Maqedoni.
 
“Marshuam për t’a kthyer shtetin në duart e qytetarëve. E marrim nga mafia dhe familja e Nikolla Gruevskit. Marshuam për të kthyer paratë te qytetarët. Do t’i kthejmë deri në denarë. Gjithë çfarë vodhën do ta kthejmë. Sot marshuam për rroga dinjitoze me të cilat do të jetohet dhe jo për paga me të cilat mbijetohet”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Ndërkaq, përfaqësuesit e sektorit civil përkujtuan kreun e LSDM-së se edhe ai do të përballet me marshe dhe protesta qytetare nëse nuk i mban premtimet, gjithmonë në rast se i fiton zgjedhjet e radhës.
 
“Është mirë që jeni këtu z. Zaev, që t’u porosisim se nëse e fitoni besimin që të jeni pushtet në këtë vend, do t’ju mbajmë për fjale, kjo e keqe kurrë të mos përsëritet. Porosia jonë për ju është se lufta vazhdon. Ne qytetarët kurrë nuk do të ndalemi të luftojmë për lirinë, pasi ajo nuk është vetë qëllimi, por rruga me gjemba drejt qëllimit”,- u shprehën nga “Revolucioni i larmë”.  
      
Edhe marshi i sotëm filloi nga objekti i PPS-së në shenjë përkrahjeje për këtë institucion, i cili ka për obligim të zbardh gjithë krimet që burojnë dhe lidhen me përgjimet e paligjshme. 
 
SHPËTIM NUREDINI