Maqedoni
Dita e Kryengritjes Antifashiste, lufta për liri, ideali që bashkoi të gjithë qytetarët
11.10.2016 18:07
Maqedonia ka shënuar Ditën e Fitores ndaj Fashizmit me vendosje kurora lulesh në të gjitha monumentet që përkujtojnë luftën partizane dhe me mesazhe urimi nga autoritetet...

Presidenti Ivanov ka përkujtuar se Maqedonia në çdo kohë ka gjetur forcë të mbijetojë ndarjet e të bashkohet për një qëllim më të madh rreth idesë për një shtet të lirë.
“Nëse ekziston një ide që si pishtar na ka udhëhequr nëpër stuhitë e historisë, ajo është ideja për liri të Maqedonisë. Falë asaj ideje, ne kemi gjetur forca të pajtohemi dhe t’i tejkalojmë ndarjet”.
Edhe kryeministri Dimitriev ka përkujtuar në urimin e tij guximin e njerëzve që sakrifikuan gjithçka për ëndrrën e lirisë.
Sot kujtojmë shumë luftëtarë të cilët atëherë kur ishte nevoja dolën para sfidës së gjeneratës së tyre dhe me guxim e zhvilluan luftën e cila kontribuoi që Maqedonia ta presë fundin e Luftës së Dytë Botërore në anën e fitimtarëve, në anën e koalicionit të madh të vendeve ithtare të paqes, lirisë, demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut”,- qëndron në urimin e Dimitrievit.
110 mijë njerëz morën pjesë në luftën kundër fashizmit, mes tyre edhe shumë shqiptarë që luftuan për idealin e madh, për të qenë të barabartë në një shtet që e shikonin edhe si të tyrin. 58 mijë njerëz u internuan, ekonomia e vendit u shkatërrua pothuajse tërësisht.
Maqedonia u rimëkëmb ndër vitet që pasuan, madje fitoi edhe pavarësinë në 1991. Por, idealet partizane nuk u realizuan për ata partizanë shqiptarë që besuan se liria dhe barazia që proklamohej duhet ta bënte ëndrrën e lirisë të njëjtë e të bukur për të gjithë. Për të fituar barazinë u desh edhe një luftë tjetër, madje edhe shumë përpjekje të përditshme që vazhdojnë edhe pas vitit 2001.
GAZMEND KURTISHI
