Botë

I papërmbajtshmi Trump sulmon Paul Ryan: I dobët dhe joefektiv

11.10.2016 20:42

Kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump sulmoi ashpër kreu e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, Paul Ryan, duke e cilësuar si një udhëheqës të dobët dhe jo efektiv...

Trump kritikoi republikanin me postin më të lartë, pasi Ryan tha se nuk do ta mbronte më kandidatin. Paul Ryan është një prej republikanëve më të fundit, që deklaruan se nuk do të mbështesin Trumpin, pasi u publikoa një regjistrim i tij i vitit 2005, ku miliarderi njujorkez bën komente të turpshme për femrat.
 
Ndarjet e reja në Partinë Republikane vijnë ndërsa një sondazh i ri tregon se Trumpi është 11 pikë pas Hillary Clintonit, e cila vlerësohet se udhëheq me 49% kundrejt 38%. Pas videos dëmtuese të Trumpit, Paul Ryan tha se do të përqëndrohej në zgjedhjet për Kongresin, e jo më garën presidenciale, për t’u siguruar se republikanët do të mbajnë kontrollin e legjislativit.
 
Menjëherë pas fjalëve të Ryan, Trump tha se më në fund kishte hequr “prangat” dhe tani do të luftojë për Amerikën në mënyrën që dëshiron. Si zakonisht, Trump i bëri këto komente në “Tëitter”, mënyra e tij e preferuar për të komunikuar, ku gjithashtu shkroi se republikanët e pabesë janë më të vështirë sesa Hillary Clinton.
 
Me gjithë telashet që shkakton, ka ende shumë republikanë që kanë deklaruar se do të mbështesin Donald Trumpin, mes të cilëve edhe ish-rivali i tij Ted Cruz, i cili u shpreh se do të votonte për të, pasi Clinton është një katastrofë e vërtetë.
 
Të njëjtën gjë bëri edhe kreu i Partisë Republikane, Reince Priebus, i cili deklaroi se partia do të mbështesë Trumpin, pavarësisht problemeve të fundit./Top Channel