ShBA, Turqia dhe Iraku të tejkalojnë mospajtimet
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Turqia dhe Iraku....

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Turqia dhe Iraku t’i kapërcejnë mospajtimet për vendosjen e ushtarëve turk për afro 2 mijë në pjesën veriore të Irakut, duke theksuar se ata atje mund të jenë vetëm me miratimin e Bagdadit.
Përpjekja për ndërmjetësim ndërmjet dy aleatëve të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara u bë pasi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vlerësuar mbrëmë se Turqisë nuk i duhet leje për mbajtjen e trupave turq në kampin Bashiqa, në pjesën irakiane të kontrolluar nga kurdët dhe se trupat do të marrin pjesë në fushatën e pritur për çlirimin e Mosulit nga grupi ekstremist, “Shteti Islamik”.
Por, Departamenti amerikan i shtetit tha se forcat e jashtme mund të jenë në Irak vetëm me ftesën e Bagdadit dhe ato duhet t’i bashkohen koalicionit kundër “Shtetit Islamik”, që aktualisht po operon dhe po përgatitet për sulm kundër Mosulit.
“Forcat turke, që janë vendosur në Irak, nuk janë atje si pjesë e koalicionit ndërkombëtar... Është e domosdoshme për të gjitha palët të bëjnë koordinime të afërta gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme, për të siguruar unitet të përpjekjes për t’i shkaktuar disfatë Daeshit”,- tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, John Kirby.
Por, zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmuş, deklaroi se "prania e ushtrisë së Turqisë në Bashika është një prezencë legjitime dhe do të vazhdojë praninë atje për sa kohë që do të jetë e nevojshme", përkatësisht derisa luftëtarët e ISIS-it nuk largohen nga Mosuli.
Por, Kurtullmush theksoi se Turqia do të marrë pjesë në operacionin për dëbimin e xhihadistëve nga Mosuli, vetëm nëse nuk marrin pjesë njësitet e kurdëve sirianë, Forcat për mbrojtje të popullit.
