Afganistan, talibanët sulmojnë qytetin Lashkar Gah
Qeveria e Afganistanit i ka vendosur qindra ushtarë në qytetin jugor...

Qeveria e Afganistanit i ka vendosur qindra ushtarë në qytetin jugor, Lashkar Gah, derisa militantët talibanë janë kërcënuar me depërtim në këtë qytet.
Gjatë ditës së djeshme, talibanët e kanë lansuar një sulm të shkallës së gjerë kundër pikave të kontrollit të sigurisë në Lashkar Gah të provincës Helmand, pasi nga një sulm vetëvrasës me makinë-bombë u vranë 14 persona, përfshirë 10 policë.
Sot, forcat qeveritare të mbështetura nga sulmet ajrore amerikane, kanë ndërmarrë operacione për pastrimin e militantëve në qytet dhe rrethinë.
“Më shumë se 300 ushtarë specialë janë vendosur në qytet për parandalimin e avancimit të talibanëve”,- tha Abdul Jabar Qahraman, i dërguari special qeveritar për provincën Helmand.
Për muaj të tërë, talibanët ishin në periferi të Lashkar Gahut, në kuadër të marshit të tyre përgjatë Helmandit, ku prodhohet pjesa më e madhe e drogës në botë.
Zyrtarët provincialë kanë thënë se tani talibanët e kontrollojnë 85% të provincës Helmand, ndërsa para një viti qeveria e kishte kontrollin ndaj 80% të territorit.
