RDK ka mbajtur tubim në Vrapçishtë
Në vazhdën e aktiviteteve parazgjedhore, karavani i RDK-së me në krye kryetarin Rufi Osmani, vizitoi vendbanimet e Komunës së Vrapçishtit………….

Në vazhdën e aktiviteteve parazgjedhore, karavani i RDK-së me në krye kryetarin Rufi Osmani, vizitoi vendbanimet e Komunës së Vrapçishtit.
Në këto takime popullore me qytetarët shqiptarë, programin e RDK-së e shpalosën deputetët potencial, Vesel Memedi dhe Meli Jakupi. Kandidatët për deputet argumentuan se kjo Komunë nën udhëheqjen e partisë në pushtet, sot është simbol i dështimit dhe katastrofës ekonomike dhe infrastrukturore, e udhëhequr nga klane të korruptuara.
Me këtë rast, kryetari i RDK-së, Rufi Osmani, argumentoi se humbja e kandidatit të koalicionit RDK-TDP, në zgjedhjet e vitit të kaluar, e la këtë Komunë pa mbi 10 milion investime infrastrukturore të premtuara dhe garantuara nga kryetari i Stambollit, investime që në këtë Komunë nuk do të mund të realizohen nën udhëheqjen e partisë në pushtet. Kryetari Osmani argumentoi se vendi udhëhiqet nga një qeveri totalitare, që ka shkelur rëndë demokracinë, ka uzurpuar mediat publike dhe private dhe ka varfëruar skajshmërisht shqiptarët. RDK sipas tij, do të angazhohet për përmirësimin e kushteve për jetesë dhe krijimin e një jete më cilësore për qytetarët.
Sipas RDK-së, totalitarizmi në një vend fillon me kontrollin e plotë të mediumeve, për të larë mendjen e qytetarit me gënjeshtra permanente për projekte që vetëm premtohen dhe kurrë nuk realizohen. Pikërisht ky fenomen ndodh në Maqedoni, nëpërmjet financimit reklamues me paratë publike në mediumet e shkruara dhe elektronike private dhe të gjitha televizionet nacionale, rajonale dhe lokale. Përmes një terri informativ, në këtë mënyrë pamundësohet prezantimi i barabartë i partive politike, si parakushti i parë për konkurrim demokratik. Sot Maqedonia është Bjellorusia, Rusia dhe Turqia e dytë në kuptim të mediumeve, ku mbizotëron terr i plotë informativ.
Pa transparencë të plotë në financimin e partive politike dhe pa mediume të pavarura, nuk mund të ketë parakushte elementare për garë demokratike zgjedhore, përfundoi kryetari, Rufi Osmani. RDK do të angazhohet që vendi sa më shpejtë të anëtarësohet në NATO dhe BE, u tha në tubimin që u mbajt në vendbanimet e Komunës së Vrapçishtit. (Flutura Latifi, TVM2)
