Sulm në Afganistan, 14 të vdekur në Ditën e Hashures
Së paku 14 persona mbetën të vdekur dhe 31 të plagosur...

Së paku 14 persona mbetën të vdekur dhe 31 të plagosur nga sulmi i militantëve islamik në një vend të shenjtë për myslimanët shiit në Kabul të Afganistanit në prag të Ditës së Hashures.
Turma e njerëzve ishte mbledhur në Karte Sakhi për të kremtuar Ditën e Hashures, në përkujtim të martirizimit të Husseinit, nipit të Profetit Muhamed. Dëshmitarë nga vendngjarja thanë se ishte dëgjuar një shpërthim i fuqishëm si dhe të shtëna armësh.
“31 pacientë u sollën në spital. 14 persona kanë humbur jetën dhe 31 janë plagosur”,- tha mjeku, Bashir Ahmad.
"Një militant i veshur në uniformë ka shtënë drejt njerëzve pa dalluar ata. Të gjithë ikën dhe vrapuan, ndërsa unë isha e ngatërruar atje. Atij i përfunduan plumbat dhe deri sa ndërroi kutinë e plumbave unë e luta të më lëshonte, duke i thënë se djali im 6 muajsh është i pafajshëm, mos na vrit. Ai lëvizi kokën në shenjë pohimi dhe tha ok, ok, dhe u largua”,- theksoi Saleha.
"Shumë njerëz janë vrarë. Më vonë, gjatë mesnatës, ne dëgjuam një shpërthim tjetër, ishte sikur të jesh në luftë dhe njerëzit ishin të frikësuar. Ishte një gjendje e tmerrshme dhe e parehatshme për ne”,- tha Hamidullah.
Vdekja e Husseinit në betejën e Qerbelasë, që përkujtohet në këtë ditë të shënuar për bektashinjtë, ka qenë një organizim që çoi në ndarjen e Islamit në dy sekte kryesore: atë sunit dhe atë shiit.
Qeveria afgane ka paralajmëruar më herët për sulme të mundshme gjatë ditës së nesërme, por një i tillë ndodhi në një moment të paparashikuar.
Nga sulmi i fundit i kryer në Afganistan, i marrë përsipër nga “Shteti Islamik”, mbetën të vdekur 80 persona, por ndaj shiitëve kishte kohë që nuk ndodhnin të tilla ngjarje vdekjeprurëse, ndryshe nga ç’ndodh në Pakistanin fqinj.
Myslimanët shiitë përbëjnë rreth 15 për qind të popullsisë afgane, shumica e të cilëve janë pjesë e grupit etnik “Hazara”. (Leunora Kaliqi, TVM2)
