Kosovë, Kuvendi kërkon lirimin e Nehat Thaçit
Kuvendi i Kosovës me 51 vota për, 13 kundër dhe 8 abstenime miratoi Rezolutën...

Kuvendi i Kosovës me 51 vota për, 13 kundër dhe 8 abstenime miratoi Rezolutën e propozuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike, Armend Zema, përmes së cilës kërkohet lirimi i drejtorit rajonal të Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi.
Pro Rezolutës së Zemajt ishin deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Grupit 6+. Këto janë pikat e draft-rezolutës të prezantuara nga deputeti i LDK-së: Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të Nehat Thaçit! Bashkimi Europian të ndërhyjë te Qeveria e Serbisë për lirimin e tij, i cili duhet të bëhet përmes zyrës së përfaqësueses së lartë të BE-së, Federika Mogherinit (kjo pikë gjendet edhe në dy shkresat që iu janë dorëzuar zyrave të BE-së në Kosovë dhe zyrës së EULEX-it nga ministritë respektive)!
Qeveria e Republikës së Kosovës t’ia bëjë me dije BE-së se veprimet e tilla të Serbisë në raport me institucionet dhe qytetarët e Kosovës po e rrezikojmë thellë përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke detyruar Kosovën për reciprocitet; Misioni i EULEX-it të deklarohet për rastin e Thaçit, njëherit kërkohet angazhim i drejtpërdrejtë i tij si mision me kompetenca të veçanta; Kërkohet nga Interpoli që Policia e Kosovës të bëhet pjesë e kësaj organizate, njëherit insistohet që fletarrestet politike të shpallura nga Serbia të largohen nga sistemi ligjor i INTERPOL-it.
