Maqedoni
Zgjedhjet, temë debati në “Argument” në TVM2
12.10.2016 15:02
Shtohen dilemat për shpërbërjen ose jo të kuvendit më 27 tetor dhe mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor...

Ekspertët juridik në emisionin debativ “Argument” druajnë nëse janë përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve, duke vënë theksin në ligjet që kërkoi Janeva.
Profesoresha universitare, Arta Bilalli-Zendeli, thotë se kuvendi deri në shpërbërje nuk do të mund të miratojë buxhetin, e në veçanti të shqyrtojë Ligjin për vazhdim të mandatit 18 mujor të speciales si dhe Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve.
“Praktikisht mund të jetë e mundur, por teoretikisht janë ligje të rëndësishme të cilat duan një analizë më të thellë edhe ato dispozitat p.sh. që propozohen, sidomos te dëshmitari i mbrojtur, aty ku duhet të ndërhyhet në programin për mbrojtjen e dëshmitarit të mund të ndërhyjë edhe vetë prokurorja speciale si prokurore për ndjekjen e veprave penale që burojnë nga incizimet e paautorizuara dhe përgjimet, kërkon një analizë më të thellë të ligjit fillestar të vitit 2005, i cili ka hy në fuqi në vitin 2006”,- deklaroi profesoresha universitare, Arta Bilalli-Zendeli.
Profesori, Jusuf Zejneli, thotë se mosfunksionimi i Prokurorisë Speciale mund të vejë në pikëpyetje zgjedhjet. Shumica parlamentare do të duhet t’i dalë gjithmonë në ndihmë speciales, thotë Zejneli.
“Shumica parlamentare duhet me qenë e gatshme që në çdo moment të krijojë infrastrukturë sa më të mirë ligjore, me qëllim që në tërësi personeli i Prokurorisë Speciale Publike të jetë më efikas në veprimtarinë e saj, për arsye se në rast se nuk realizohet kjo premisë që është një nga sfidat kryesore të demokracisë parlamentare të RM-së, atëherë ne e kemi vështirë të themi se jemi të gatshëm për një sistem zgjedhor efikas”,- theksoi profesori universitar, Jusuf Zejneli.
Por, analisti politik, Nijazi Muhameti, konsideron se zgjedhjet janë zgjidhje e pjesshme e krizës, e cila, sipas tij, është shumëdimensionale.
“Pa një reformë të thellë, sikurse modeli që bëhet tani në Shqipëri edhe që është bërë në Rumani, unë nuk shoh se kjo lojë politike ose vetëm zgjedhjet do t’i japin zgjidhje kësaj situate dhe se do ta stabilizojnë demokracinë këtu në Maqedoni, për arsye se këtu duhet bërë rithemelim i demokracisë në dimensionet e veta në shumë aspekte: rithemelimi i sistemit politik, gjyqësor, administrativ etj”,- u shpreh analisti politik, Nijazi Muhameti.
Me shumë skepticizëm shikohet edhe formimi i Gjykatës Speciale, pasi, sipas profesorëve universitarë, për krijimin e këtij institucioni nevojitet ndryshim i kushtetutës. As vizita e eurokomisarit, Johanes Han, nuk shikohet me optimizëm se do të arrijë të bindë politikanët e vendit të mos i shtyjnë zgjedhjet.
MERAL ISMAILI
