Maqedoni
Dështon iniciativa e Kasamit dhe Zenelit LR-PDSh, UNITETI dhe PPD nuk erdhën në takim
12.10.2016 15:21
Ka dështuar iniciativa për një takim të përbashkët të partive jashtëparlamentare, e cila për qëllim kishte bashkëpunimin midis tyre për zgjedhjet e 11 dhjetorit...

Në takim nuk u paraqitën të ftuarit e LR-PDSh-së dhe UNITETI-t. Por, kryetari i Lëvizjes “Besa” nuk e quan dështim këtë takim, ai beson se partitë jashtëparlamentare megjithatë do të gjejnë forcë të përbashkët për të krijuar një front opozitar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Ne si opozitë e bashkuar edhe më tutje nuk mbyllim dyert për askënd, i cili do të reflektojë ndërkohë dhe do të jetë i gatshëm që t’i bashkohet kësaj opozite. Ne do të vazhdojmë më tutje të kontaktojmë, të komunikojmë dhe të bisedojmë me të gjithë intelektualët, me të gjithë shqiptarët veç e veç, që të bëjmë opozitën e bashkuar që një herë e përgjithmonë këtë të keqe të binomit VMRO-BDI ta largojmë nga skena politike. Për të gjithë të tjerët të cilët nuk janë të gatshëm dhe të bëjnë një bashkëpunim të tillë, le të mbetet përgjegjësi e tyre”,- deklaroi Bilall Kasami nga “Besa”.
Edhe RDK-ja e Fadil Zenelit beson në krijimin e një fronti të bashkuar opozitar.
“Do të vazhdojë komunikimi edhe më tutje. Shpresa është ajo që vdes e fundit dhe me siguri se ne edhe si dy parti, por edhe të gjithë ata të cilët janë të vullnetit të mirë, intelektualë, ish politikanë të cilët kanë vullnet të mirë mund të ndihmojnë në procesin e bashkëveprimit dhe bashkëbisedimit me partitë e tjera”,- tha Fadil Zeneli nga RDK.
Iniciativa për takimin e sotëm rrodhi nga Lëvizja “Besa” dhe RDK-ja e Fadil Zendelit, që, sipas tyre, kishte për qëllim për të dhënë frymën e bashkëpunimit dhe më pas të rezultojë me bashkërendimin e aktiviteteve për arritjen e këtij synimi.
Ndërkohë, një nismë tjetër për një takim të partive jashtëparlamentare për ditën e shtunë ka iniciuar edhe Shoqata e të Burgosurve Politik Shqiptar të udhëhequr nga Shpëtim Pollozhani. Pjesëmarrje në këtë takim kanë konfirmuar LR-PDSh dhe PPD.
NAIM RAMADANI
