Maqedoni
Java Botërore e të Pamurit, prindërit: 4 mijë denarë në muaj nuk mjaftojnë
12.10.2016 16:00
Personat e verbër shënojnë Javën Botërore të të Pamurit. Aktiviteteve iu bashkëngjit edhe Maqedonia...

Në vendin tonë ka vetëm një shkollë shtetërore për personat e verbër, “Dimitar Vllahov” në Shkup. Fëmijët dhe prindërit e tyre udhëtojnë çdo ditë për të ardhur në shkollë.
Familjet me persona të verbër ndihmohen nga shteti me nga 4 mijë denarë në muaj, por prindërit e këtyre fëmijëve ankohen se kjo ndihmë nuk mjafton as për shpenzimet e rrugës.
“Shumë rëndë është të udhëtosh çdo ditë dhe të merresh me fëmijët me nevoja të veçanta. Kujdesja është shumë e rëndë, një vështirësi është se ne nuk mundemi të punojmë diçka, të merremi me ndonjë punë tjetër. Ndihmë marrim, ajo që është shtesë e veçantë 4000 den., tjetër nuk marrim asgjë”,- tha prindi, Beni Sherifi.
“Ne vijmë nga Kumanova . Udhëtojmë çdo ditë, ky është viti i dytë që udhëtojmë. Prej shtetit marrim 4000 den., nuk janë të mjaftueshme, por nuk kemi çka të bëjmë dhe e kemi patjetër të ballafaqohemi me këtë problem”,- theksoi prindi, Fehim Murati.
Fëmijët e duan shkollën e tyre. Atje shoqërohen me moshatarët, nën përkujdesjen e mësuesve të specializuar.
“Kam shok dhe shoqe, kur e shohin ata se diçka nuk është në rregull me mua, më ndihmojnë”,- u shpreh nxënësja në Shkollën “Dimitar Vllahov”, Kanita Ibrahimi.
“Kam shumë shokë dhe shoqe, por na ndihmojnë shumë edhe arsimtarët”,- tha nxënësja në Shkollën “Dimitar Vllahov”, Aldin Sherifi.
Shkolla botoi sot edhe një doracak të titulluar “Si të silleni kur takoni një të verbër”, që do t’ju shërbejë të gjithë të tjerëve kur përballen me njerëz me pengesa në shikim.
“Tani të gjithë njerëzit të cilët kanë pyetur veten se si duhet të sillemi kur të takohemi me personat e verbët, do të gjejnë përgjigje në këtë doracak. Procesi i gjithëpërfshirjes së personave me shikim të dëmtuar vazhdon”,- deklaroi drejtori i Shkollës “Dimitar Vllahov”, Goranço Jakimov.
Shkolla “Dimitar Vllahov” funksionon si shkollë fillore dhe e mesme dhe momentalisht në të janë të regjistruar rreth 50 nxënës.
REJHANE BUSHI-METAJ
