Maqedoni
Letërsia shqiptare në Maqedoni, Sulejmani: kemi shkrimtarë të respektuar
12.10.2016 16:21
Biblioteka popullore universitare "Shën Klimenti i Ohrit" do ketë tashmë në fondin e saj edhe vepra të shkrimtarëve shqiptarë...

Biblioteka popullore universitare "Shën Klimenti i Ohrit" do ketë tashmë në fondin e saj edhe vepra të shkrimtarëve shqiptarë të përkthyera për lexuesin maqedonas.
Ali Aliu, Agim Vinca, Resul Shabani, Nehas Sopaj, Abdylazis Islami, Luan Starova, Murteza Peza, Memedali Hoxha dhe shkrimtarë e studiues të shumtë janë pjesë e këtij projekti për njohjen e letërsisë së ndërsjellë.
Fatmir Sulejmani, dekan i Fakultetit Filologjik pranë Universitetit të Tetovës, tha se letërsia shqipe kudo ku krijohet është një dhe e vetme, dhe shkrimtarët shqiptarë të këtij nënqielli kanë dhënë vepra shumë të respektuara letrare në etapa të ndryshme historike.
“Ndër autorët që përmendin emra konkret letrarësh vërsnik me Barletin e Beçikemin është historiani Ali Vishko, i njohur me monografinë “Teqja Harabati e Tetovës” dhe roli i saj historik e kulturor në të kaluarën. Sipas tij, në Maqedoninë Perëndimore ka pasur jetë të gjatë kulturore dhe poetë që organizonin madje edhe lexime dhe gara poetike nëpër tempujt fetarë, veçmas nëpër faltoret bektashiane. Edhe studiues të tjerë si Mahmut Hysa dhe Hasan Kaleshi flasin për zhvillimet e hershme letrare në Tetovë, në Shkup, Manastir e Ohër dhe përmendin emra konkret poetësh të kësaj periudhe, si Muidi, Suxhudi, Yll Demiri, Qemaludin Shemiri apo poeti dhe filozofi, Sersem Alidede, i lindur në fund të shekullit XV, i cili ka lënë poezi të shkruara në osmanishte, por të mbushura me botë dhe ndjesi shqiptare”,- deklaroi dekani i Fakultetit Filologjik-UT, Fatmir Sulejmani.
Veprat e autorëve shqiptarë të Maqedonisë janë botuar në edicionin "Letërsia e Maqedonisë" në 135 vëllime, në origjinal në gjuhën shqipe dhe të përkthyera në gjuhën maqedonase.
GYLTENE SINANI
