Botë
Meta - Ciprasit: plagën edhe kur e përkëdhel, prapë e lëndon
12.10.2016 16:28
“Në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke ka disa plagë, por ato nuk i dominojnë këto marrëdhënie”...

Ishte kjo deklarata e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin grek, Aleksis Cipras.
Në vijim të vizitës zyrtare, Meta tha se me urtësi do t’i jepet hov marrëdhënieve dypalëshe.
“Natyrisht, si të gjithë fqinjët, në historinë e marrëdhënieve tona kemi disa plagë, por nuk janë këto që dominojnë marrëdhëniet tona. Ato dominohen nga interesat e përbashkëta dhe dihet që një plagë edhe kur e përkëdhel, prapë e lëndon. Por, unë besoj që ne me urtësi dhe me vullnet pozitiv, jo vetëm që do t’i japim një hov të ri marrëdhënieve të gjithanshme shqiptaro-greke, sepse kjo është një kërkesë e qytetarëve tanë, por dhe t’i trajtojmë në mënyrë konstruktive sipas edhe përkatësisë evropiane që na takon të gjitha
çështjet e mbartura nga e kaluara”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Në të njëjtën linjë duket se ka qenë edhe Cipras, i cili tha se marrëdhëniet kanë pasur ditë të mira e të këqija dhe se problemet duhet të marrin zgjidhje.
Ai i premtoi kreut të Kuvendit se do të angazhohet për të krijuar më shumë lehtësira për dokumentet e emigrantëve shqiptarë.
Më tej, kryeparlamentari shqiptar vlerësoi momentin pozitiv të Greqisë si edhe përmirësim të situatës ekonomike dhe sociale, pasi fatet e dy vendeve, sipas Metës, kanë qenë dhe janë sot më të lidhura se asnjëherë tjetër.
LULJETA NDOKA
