Uragani “Matthew”, dramë në Haiti, uria kërcënon të mbijetuarit
Pas shkatërrimit apokaliptik që la pas uragani “Matthew”, Haiti kërcënohet nga uria...

Presidenti i përkohshëm i vendit, Jocelerme Privert, ka dhënë alarmin, duke deklaruar se uria ekstreme do të pllakosë në vend brenda tre ose katër muajsh, nëse situata nuk menaxhohet siç duhet.
Humbjet janë tragjike, mijëra shtëpi janë shkatërruar, teksa ndihmat në ushqime, ujë të pijshëm dhe ilaçe janë një domosdoshmëri.
Ajo që pashë dje me sytë e mi ishte apokaliptike dhe do të kërkojë një punë të madhe për rindërtimin e zonave të prekura.
Të paktën 1.4 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë emergjente aktualisht. OKB-ja ka bërë një apel urgjent për gati 120 milion dollarë me qëllim mbulimin e shpenzimeve dhe nevojave për tre muajt e ardhshëm.
Uragani “Metthew”, i konsideruar më i madhi i kësaj dekade, besohet se ka vrarë 900 persona në Haiti, teksa zona të shumta janë zhdukur nga harta.
Ekipet e kërkim-shpëtimit ende po vijojnë punën për akses në zonat të cilat kanë mbetur të izoluara si pasojë e shkatërrimit të infrastrukturës lidhëse.
Organizatat humanitare kanë ngritur shqetësimin se përmbytjet mund të shkaktojnë shpërthim të kolerës, situatë e ngjashme me atë pas tërmetit të vitit 2010.
