Botë

Forumi i sigurisë në Beograd, Kosova e bojkoton, Rama do të hapë forumin

12.10.2016 16:53

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës për ndërmarrjen “Trepça”, por edhe për kodin telefonik, kanë bërë që delegacioni i ministrave të Kosovës të anulojë pjesëmarrjen në forumin e sigurisë në Beograd...

Por, në forum do të marrë pjesë kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili do të hapë forumin me homologun e tij serb.
 
Ai pritet të diskutojë për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimin në eliminimin e paragjykimeve dhe të rritjes së sigurisë dhe stabilitetit të Europës Juglindore.
 
Vizita e paralajmëruar është shoqëruar me apelet e kreut të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, se Rama nuk duhet të ndihmojë Vuçiçin që të duket mirë në Ballkan.
 
“Rama duhet të shkojë pesë herë në Zagreb, katër herë në Sarajevë, tre herë në Podgoricë, dy herë në Sofje, që të mund të shkojë një herë në Beograd”,- porosit Ymeri.
 
Një ditë para samitit gjërat janë ashpërsuar ndjeshëm. Organizatorët e forumit ankohen se kanë mbetur pa panelistë. Ky nuk ishte dialogu i shumëpritur, thonë ata.
 
“Bashkësia ndërkombëtare ka shumë faj, pasi marrëveshjet arrihen dhe nuk zbatohen. Kjo nuk është gjë e mirë. Por, ndoshta mund të hapë rrugë”,- tha analisti, Dushan Janjiç.
 
“Qëllimi ynë ka qenë që të krijojmë një hapësirë për dialog. Ne besojmë se, sidomos kur ka kriza, dialogu është e vetmja alternativë për zgjidhjen e tyre dhe ne do të punojmë për këtë”,- theksoi Marko Savkoviç nga Forumi i sigurisë në Beograd.
 
Analistët akuzojnë se dialogu i Brukselit është kthyer në fabrikë nënshkrimesh dhe marrëveshjesh pa rezultate konkrete në praktikë.
 
BESIM ABDULLAI