Maqedoni

LSDM kërkon shpërndarjen e Kuvendit, VMRO kushtëzon shpërndarjen me buxhetin

12.10.2016 17:12

Grupi parlamentar i LSDM-së dhe partnerët e koalicionit të këtij subjekti kanë parashtruar në Kuvend kërkesë për shpërndarjen e Kuvendit...

Me këtë akt LSDM, si pjesë e partive politike, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, pretendon të tregojë se mbetet në pozicionet e dakorduara që janë në interes të zgjidhjes së krizës politike.
 
“Sot e parashtrojmë kërkesën me shënim për mbajtje të seancës urgjente dhe me këtë tregojmë gjithçka. Ne jemi për zgjedhje më 11 dhjetor dhe kërkojmë menjëherë të thirret seancë urgjente e Kuvendit, pasi kemi hyrë në afatet ligjore për të shpallë zgjedhjet. Çdo përpjekje për të shtyrë shpërndarjen e Kuvendit nga ana e shumicës së VMRO-së dhe BDI-së do të jetë dëshmi shtesë se pushteti i Nikolla Gruevskit dëshiron të ikë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit”,- deklaroi Goran Sugareski nga LSDM.
 
Opozita maqedonase konsideron se kjo kërkesë nuk bie ndesh me nismat e saj paraprake, siç ishte Ligji për PPS-në dhe ai për dëshmitarë të mbrojtur. Pas rrëzimit të nismave të saj, LSDM konsideron se shumica parlamentare mund t’i fus në procedurë parlamentare dhe t’i miratojë këto ligje brenda ditës dhe deri në mesnatë kuvendi të jetë shpërbërë. 
 
Paralelisht me bllokun opozitar, edhe deputeti i vetëm i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, ka parashtruar nismë për shpërbërje të Kuvendit. Sipas tij, nëse pushteti nuk ka vullnet të miratojë pakon e ligjeve që kërkoi PPS, Kuvendi nuk ka arsye të shtyjë afatin e shpërndarjes.  
       
“Përveç Ligjit për Prokurori Publike Speciale dhe Ligjit për dëshmitarë të mbrojtur, nëse ka vullnet politik dhe marrëveshje që të miratohen, arsye tjetër për të shtyrë zgjedhjet konsideroj se nuk ka”,- theksoi Pavle Trajanov nga LD.
 
VMRO-DPMNE ka përshëndetur vendimin e LSDM-së për shpërndarje të Kuvendit, por kërkesën e opozitës e kushtëzuar me miratimin e buxhetit për vitin 2017. 
 
“Kërkesën e LSDM-së e pranojmë dhe presim që kësaj radhe Zoran Zaev të mos përpiqet të gjejë arsye që sërish të ikë nga zgjedhjet”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së në të cilën jepej edhe afat kohor kur duhej të mbaheshin dy seancat e kuvendit, ajo për miratimin e buxhetit në orën 17:00 sot pasdite dhe për në 19:00 seanca ku duhet të miratohej vendimi për shpërndarje të Kuvendit.   
 
SHPËTIM NUREDINI