Maqedoni
Miniera e Llojanit, Duraku: e ka marrë me koncesion një firmë turke
12.10.2016 17:32
Pas dështimit të Kompanisë kanadeze, e cila para dy vitesh fitoi koncesionin për të menaxhuar me minierën e Llojanit...

Pas dështimit të Kompanisë kanadeze, e cila para dy vitesh fitoi koncesionin për të menaxhuar me minierën e Llojanit, kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku, ka prezantuar koncesionerin i cili është kompani turke.
Kjo kompani, sipas Durakut, që në 1 mars të këtij viti ka paguar të gjitha detyrimet ndaj shtetit dhe komunës.
“Kompania kanadeze që iu ka nda më herët, unë nuk kam njohuri të plotë për këtë, sepse është Ministria e Ekonomisë që duhet të japë sqarime dhe informata të detalizuara për këtë. Pse është tërhequr ajo kompani dhe iu ka dhënë një kompanie tjetër, kompanisë turke “Ajma Medexhellik”, ku kjo kompani ka marrë koncesionin e minierës së Llojanit dhe ka bërë pagesën në verë prej 241.636 euro për koncesionin, nga të cilat 53.160 euro për pushtetin qendror dhe 188.476 euro për komunën e Likovës. Këto mjete janë në xhirollogarinë e komunës nga data 01.03.2016”,- tha kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku.
Ende nuk dihet se kur do të fillojnë aktivitetet për riaktivizimin eventual të minierës së Llojanit, pasi që, siç shprehet Duraku, kjo është punë e kompanisë turke dhe ajo vetë do të vlerësojë për aktivitetet e mëtejme.
“Unë besoj se kjo kompani është kompani serioze, pasi që i ka dhënë këto mjete, ka paguar për koncesionin dhe këto mjete nuk i kthehen më kompanisë. Unë mendoj dhe besoj se kjo kompani do të vazhdojë aktivitetin e vet. E tëra varet nga vetë kompania se si do ta vazhdojë aktivitetin",- theksoi kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku.
Me riaktivizimin eventual të minierës së Llojanit, e mbyllur gjatë viteve 70-ta të shekullit të kaluar, përpos punësimit të banorëve vendorë, përfitime financiare do të kishte edhe komuna.
Por, megjithatë pritet të shihet në të ardhmen se cili do të jetë fati i kësaj miniere.
NEXHAT AQIFI
