Botë

Britania diskriminon italianët, klasifikim me “siçilian” dhe “napoletan”

12.10.2016 21:15

Një incident thuajse diplomatik është verifikuar mes Britanisë së Madhe dhe Italisë, për shkak të formularëve të regjistrimit në shkolla në Mbretërinë e Bashkuar...

Sikurse raportojnë mediat italiane, në formularët që jepeshin për regjistrimin e nxënësve italianë bëhej një diferencim mes “Italian”, “Italian nga Siçilia” dhe “Italianë nga Napoli”. 
 
Dallimi në fjalë ka shkaktuar indinjatë tek familjet e fëmijëve, si dhe ka bërë që Ambasada e Italisë në Mbretërinë e Bashkuar të reagojë. “Jemi të bashkuar që prej vitit 1861”, i ka shkruar ambasadori Pasquale Terracciano Ministrisë së Jashtme britanike. 
 
Ka qenë Ministria britanike e Arsimit që ka modifikuar kodet që në disa shkolla të Mbretërisë klasifikonte studentët italianë në tre grupe etniko-gjuhësore. 
 
Incidenti, nëse do të klasifikohej i tillë, ka ndodhur së fundmi dhe vetëm këtë të mërkurë qeveria britanike ka njoftuar atë italiane se ka modifikuar kodet e regjistrimit në shkolla. 
 
Më herët, Ministria e Jashtme britanike i kishte kërkuar ndjesë Romës zyrtare për këtë klasifikim./Top Channel