Maqedoni
FRI ndan çmimet vjetore, shpërblehen më të mirët e vitit
13.10.2016 14:19
Forumi Rinor Islam ndau mbrëmë çmimet për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët më të mirë në nivel republikan...

Në manifestimin me rastin e Hixhrit u dekorua edhe shkencëtari i vitit dhe personalitete të tjera.
“Forumi Rinor Islam dëshiron të vë në pah dijen, të nxisë dijen tek të rinjtë dhe t’i shpërblejë ata të cilët janë më të mirë në nivel republikan. Shpresoj me këtë lloj aktiviteti dhe me aktivitete të ngjashme që punojmë me këto të rinj gjatë tërë vitit, të ngrisim vetëdijen tonë shoqërore dhe t’i nxisim më tepër ata të jenë pjesë aktive e shoqërisë për të ndryshuar kah e mira”,- deklaroi kryetari i FRI-së, Fisnik Shabani.
“Pas 10 viteve sërish dekorohem si shkencëtare e re e vitit, dhe kjo tregon për një përkushtim shumë të madh të FRI-së që vite me radhë ka dhënë kontribut që të hedhë dritë mbi sukseset tona, mbi dijen tonë, mbi punën tonë”,- theksoi e përzgjedhura si shkencëtare e vitit nga FRI, Drita Mamuti Fazliu.
FRI dekoroi edhe dy persona, motër dhe vëlla, me çmim të veçantë për arritje suksesi në jetën e tyre, pasi që, edhe pse të verbër, kanë mbaruar fakultetin, madje kanë regjistruar edhe studimet e magjistraturës.
“Është një ndjenjë shumë e veçantë për mua, ndoshta ia ka vlejtur gjithçka që deri më tani kam bërë, ndoshta dhe puna ime, puna e nënës, sot po kurorëzohet me çmimin nga FRI”,- theksoi magjistrja e së drejtës për personat me aftësi të kufizuara nga Prizreni, Valmira Berisha.
FRI për këtë vit ka dekoruar edhe Bahri Ganiun, veprimtar i njohur nga Tetova, për kontributin kombëtar, pasi në shtëpinë e tij është themeluar UShT, Fondacioni “Albiz” për bursat e dhëna nxënësve dhe studentëve, hoxhën Atulla Kurtishi për kontributin e dhënë për Medresenë në Shkup dhe shpërbleu hafëzin më të ri në moshë nga Maqedonia, Abdullah Asllanin.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
