Hahn porosi para vizitës në Shkup: Marrëveshja hap i mirë, me rëndësi zgjedhjet
Komisari për negociata për zgjerim i Bashkimit Europian, Johanes Han....

Komisari për negociata për zgjerim i Bashkimit Europian, Johanes Han, para vizitës në Shkup dërgoi porosi se është me rëndësi që kushtet për mbajtje të zgjedhjeve të besueshme të përmbushen në vend.
Në kumtesën e Komisionit Europian ceket se qëllimi kryesor i vizitës së Hanit është të bëhet kontroll në ngjarjet politike dhe të diskutohet për rrugën përpara, posaçërisht lidhur me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor, si dhe zbatimin e prioriteteve urgjente reformuese.
Këto tema pritet të jenë pjesë edhe e konstatimeve të KE-së në raportin vjetor për përparim të Maqedonisë, që do të publikohet kah mesi i muajit nëntor.
“Marrëveshja e arritur verën e kaluar nga ana e të gjitha partive kryesore politike dhe caktimi i datës së zgjedhjeve për këtë dhjetor është hap i mirë. Megjithatë, ky është vetëm fillimi. Me rëndësi është që kushtet e zgjedhjeve të besueshme të përmbushen plotësisht dhe qytetarët të mund lirshëm të marrin pjesë në to”,- tha komisari Han.
Hahn do të insistojë të përshpejtohet implementimi i prioriteteve urgjente reformuese në ligje.
“E tërë kjo është kyçe në mënyrë që vendi të bëjë përparim të qëndrueshëm në rrugën e vet drejt BE-së. Gjithashtu, me padurim presim të dëgjojmë nga prokurorja speciale për atë se si po përparon puna e saj dhe për sfidat me të cilat përballet ajo”,- përfundoi Johanes Han.
Në Shkup, Hahn do të takohet me kryeministrin, Emil Dimitriev, me liderët e katër partive më të mëdha politike, si dhe me prokuroren speciale dhe me përfaqësues të shoqërisë civile. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
