ZGJEDHJET PARLAMENTARE

VMRO-DPMNE vazhdoi fushatën në Prilep

17.04.2014 20:28

Duke kërkuar përkrahjen e qytetarëve të Prilepit, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në tubimin e djeshëm, në sallën sportive të Prilepit, përmendi se projektet e parapara në këtë qytet, tashmë janë realizuar……..

Duke kërkuar përkrahjen e qytetarëve të Prilepit, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në tubimin e djeshëm, në sallën sportive të Prilepit, përmendi se projektet e parapara në këtë qytet, tashmë janë realizuar.

Gruevski, as përpara qytetarëve të Prilepit nuk kurseu fjalorin për të komentuar kërkesat e BDI-së, duke e quajtur kërkesë për dygjuhësi dhe projektin për kandidat konsenzual, radikale dhe joreale. Për t’iu shmangur këtyre kërkesave, Gruevski kërkoi edhe njëherë marrjen e  62 deputetëve.

“Prilepi të dielën ishte qytetet fitues dhe më 27 prill sërish do të jetë qytet fitimtar. Që të realizojmë gjithçka që planifikuam, më 27 prill duhet masovikisht  të votojmë, që të arrihen 62 vende për deputetët,  që të mos mundet asnjëri  të na bëjë shantazh. Kërkesat për dygjuhësi në tërë Maqedoninë të BDI-së, nuk janë kërkesa reale, por kërkesa radikale”, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Në katër vitet e ardhshme, me ato 64 mijë punësimet e parapara nëpër projekte të ndryshme, do të ulet papunësia edhe për 6%. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ka bërë fushatë duke bërtitur dhe duke u bërë i fortë. Gjatë fushatës, ai nënvlerësonte Ivanovin,  ndërsa kandidati ynë me punën e vet arriti të marrë 450 mijë vota më tepër se Pendarovski. Megjithatë populli di ta njohë madhështinë e VMRO-DPMNE-së, sepse VMRO e mban fjalën, tha Gruevski.

“Ajo arrogancë, ajo mungesë e ndjenjës dhe sinqeritetit të tij me popullin, do t’i kushtojë shumë në zgjedhjet e 27 prillit.  Pas zgjedhjeve, Stevo Pendarovski dha një deklaratë të çuditshme. Ai tha se është i kënaqur nga rezultati, por nuk e kam të qartë se pse janë të kënaqur kur humbën me 123.000 vota. Nëse kjo tani ishte falimentim, më 27 prill do të jetë likuidim”, - theksoi Gruevski.

Në këtë kohë kur Maqedonia ballafaqohet me sfida nga më të ndryshmet, jo secili president ka kapacitet që ta shpëtojë vendin dhe ta dërgojë në progres, theksoi përpara qytetarëve të Prilepit, kandidati për president, Gjorge Ivanov.

“Kemi shumë sfida, për atë nuk është e parëndësishme se kush do të jetë president. Bëhet fjalë se kush do ta mbrojë vendin, vlerat nacionale dhe interesin  e popullit”, potencoi kandidati për president i VMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov.

Bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër katër, Zoran Stavrevski, ndër projektet e parashikuara në të ardhmen, përmendi shlyerjen e borxheve, uljen e TVSH-së, subvencione për bujqit dhe kredi me interes të ulët për mikro-biznesmenët. VMRO aspak nuk dëshiron të krahasohet me LSDM-në,  sepse nuk ka sens të krahasohesh  me një subjekt politik i cili nuk ka as program as projekt. Besimi i jepet punës e jo fjalëve boshe, theksoi Stavrevski. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)