Botë

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, vdesin katër të rinj, njëri mjet ecte në krahun e kundërt

13.10.2016 16:17

Katër të rinj kanë humbur jetën mëngjesin e sotëm në një aksident tragjik të ndodhur rreth orës 04:30 në superstradën Tiranë-Durrës...

Dy automjete janë përplasur kokë më kokë pranë Sukthit, ndërsa viktimat janë tre vajza dhe një djalë. Tre vajzat që humbën jetën ishin shoqe dhe udhëtonin në të njëjtin mjet.
 
Viktimat e këtij aksidenti janë Greta Sherifi nga Saranda, 23 vjeçe, e cila drejtonte njërin nga mjetet tip “Benz” dhe dy shoqet e saj që ndodheshin në makinë me të, Izabela Balla, 33 vjeçe dhe Elona Xhuti, 34 vjeçe, banuese në Tiranë.
 
Nga aksidenti mbeti i vdekur edhe Dashnor Delialliasi, 36-vjeç, nga Durrësi, që drejtonte mjetin tjetër tip benz. Sipas policisë, shkak për këtë aksident është bërë hyrja në sensin e gabuar të mjetit me drejtues Dashnor Delialliasi, shpejtësia e madhe me të cilën ka qenë duke udhëtuar, me mbi 150 km/orë dhe mungesa e ndriçimit.
 
Mësohet se 36-vjeçari ka udhëtuar në kahun e kundërt të rrugës që nga Ura e Dajlanit dhe ka udhëtuar për mbi 15 km në sens të gabuar. Ndriçimi në vendin ku ndodhi aksidenti nuk ishte funksional dhe neonet ishin të fikura.
 
Pavarësisht se pranohet mungesa e ndriçimit, ekspertët thonë se aksidenti erdhi nga një gabim njerëzor. Për nxjerrjen e trupave është përdorur ndriçimi i automjeteve.
 
LULJETA NDOKA