Rama në Beograd: “Trepça” është minierë e Kosovës

13.10.2016 16:24

“Trepça” është minierë e Kosovës dhe nuk mund ta merrni në Beograd...

“Trepça” është minierë e Kosovës dhe nuk mund ta merrni në Beograd, i ka thënë kryeministri shqiptar, Edi Rama, homologut të tij serb, Aleksander Vuçiq.

““Trepça” është minierë në zemër të Kosovës. Çfarë bëni me “Trepçën”, e transferoni në Beograd?! “Trepça” i përket qytetarëve të Kosovës! A duhet ekonomia të vendos si funksionin kjo minierë, apo duhet politika të vendos? Sepse kjo për mua është temë ekonomike. Si dëshirojmë të ecim përpara?”,- u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Por, kjo nuk i pëlqeu kryeministrit serb, Vuçiq, qeveria e të cilit ditë më parë pretendoi se ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Kuvendit të Kosovës.

“Për “Trepçën” them se di më shumë se Edi. Nëse thotë se është çështje ekonomie, Prishtina bëri lëvizje të keqe për zhvillimin e saj. Nuk folën fare me serbët atje, por vazhduan procedurat dhe i shmangën ata. Jam i frustruar, pasi kjo çështje na del këtu nga hiçi”,- theksoi kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Këto komente Rama dhe Vuçiq i bënë gjatë pjesëmarrjes në forumin me temë “E ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-serbe si dhe stabiliteti në Europën Juglindore”, që u mbajt në Beograd.

Me këtë rast, kryeministri Rama ka thënë se Kosova është aty ku me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk pajtohen fare. Por, sa më shpejt Serbia ta njeh Kosovën, do të ishte më mirë për të gjithë, vlerëson Rama.

Këtë forum e bojkotuan përfaqësuesit e Kosovës për shkak të dy çështjeve të nxehta: “Trepçën” dhe arrestimin e Nehat Thaçit. Por, kryeministri serb ka thënë se nuk di asgjë për rastin e arrestimit të nënkolonelit të Policisë së Kosovës, por ka thënë se arrestimi i tij është bërë për arsye jopolitike në bazë të një fletë arresti të lëshuar në vitin 1997.

Por, sipas Vuçiqit, për arrestime të tilla si i Thaçit në Serbi apo Oliver Ivanoviçit në Kosovë nuk ka arsye që të ndalohen negociatat apo dialogu Prishtinë-Beograd. (Gyltene Sinani, TVM2)