Botë
Protestojnë studentët e UEJL-së, janë kundër ndarjes së hapësirave me UNT-në
13.10.2016 16:49
Studentët e Universitetit të Europës Juglindore kanë protestuar kundër ndarjes së godinës me Universitetin e ri “Nënë Tereza” dhe kundër shkrirjes së përfolur të dy universiteteve në një...

Nga parlamenti studentor i UEJL-së thonë se nuk kanë asgjë kundër universitetit të ri, por po mbrojnë interesat e studentëve që përfaqësojnë.
“Kemi pasur takime edhe me rektorin, ai na dha një garanci të plotë se nuk do të ketë shkrirje, sot morëm edhe një letër zyrtare nga ana e kryetarit të bordit, Denis Farinkton, i cili të njëjtën e ka garantuar, që nuk do të lejohet një shkrirje e tillë, por që do të jetë një bashkëpunim afatshkurtër midis universiteteve, me qëllim që t’i ndihmohet Universitetit “Nënë Tereza””,- tha nënkryetari i Parlamentit Studentor-UEJL, Fuat Jonuzi.
“Nuk kemi asgjë kundër themelimit të Universitetit “Nënë Tereza”, përkundrazi, i urojmë suksese si dhe punë të mbarë, të bëhet i zoti i vetvetes dhe ta krijojë të njëjtën cilësi, por edhe më tepër se ajo që ofron universiteti ynë”,- tha anëtari i Parlamentit Studentor –UEJL, Emir Kurtishi.
Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu, e ka cilësuar dje të panevojshëm peticionin e studentëve të UEJL-së që kundërshtojnë ndarjen e hapësirave të objektit të tyre me studentët e UNT-së.
Sipas tij, kjo është një zgjidhje e përkohshme. Fillimi i mësimit në Universitetin “Nënë Tereza” pritet të ndodhë javën që vjen.
Regjistrimet ende vazhdojnë, ndërsa qeveria ka miratuar kuotat për 1220 studentë në universitetin e ri.
REJHANE BUSHI-METAJ
