Botë

Tetovë, “City Tree”- filtër bimor për reduktimin e ndotjes

13.10.2016 17:10

Filtri bimor “City Tree”, i cili do të instalohet në qendër të Tetovës, pritet të reduktojë ndotjen e ajrit në nivel vjetor dhe efekti i saj krahasohet me mbjelljen e 275 pemëve...

Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën gjermane, Shoqatën “Eko Svest”-Shkup dhe Komunën e Tetovës.
 
“Në bashkëpunim me Shoqatën “Eko Svest” nga Shkupi dhe Ambasadën e Gjermanisë promovojmë projektin “City Tree”, i cili përmes instalimit të kopshteve vertikale, me myshqe vaskulare që bëjnë pastrimin e ajrit, padyshim do të ndihmojë në luftën kundër ndotjes. Kjo formë inovative për të reduktuar ndotjen dhe për të ndërgjegjësuar qytetarët për sa i përket ndotjes së ajrit ambiental, është mesazh shumë domethënës, sepse ndotja është një problem real”,- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
“Secili ka të drejtë për ajër të pastër. Në Gjermani kjo është një temë e nxehtë që diskutohet pandërprerë. Ne diskutojmë se si të ndryshojmë qasjen e të transformojmë energjinë e fosileve në një energji të re, e cila do të ndikojë për një mjedis më të pastër, për më pak energji atomike dhe më shumë energji që do mbrojë mjedisin jetësor”,- tha ambasadorja e Gjermanisë, Chistine Althauser.
 
Projekti “City Tree” në Gjermani ka dhënë rezultate të kënaqshme dhe autoritetet komunale në Tetovë presin që edhe në qytetin më të ndotur të Maqedonisë të ndihmojë në reduktimin e ndotjes. 
 
VISAR SADIKI