Maqedoni

Zgjedhje të besueshme, Ademi: Janë prioritet bashkë me reformat

13.10.2016 17:49

Në prag të vizitës së tij, eurokomisari për politikë të zgjerimit dhe marrëdhënie fqinje, Johanes Han..

Në prag të vizitës së tij, eurokomisari për politikë të zgjerimit dhe marrëdhënie fqinje, Johanes Han, është njoftuar në tërësi me gjendjet në Maqedoni dhe përgatitjet për zgjedhjet e dhjetorit.Kështu deklaroi sot zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi. Sipas tij, prioritet mbetet zbatimi i reformave prioritare për procesin eurointegrues.
 
“Unë dua të jem optimist dhe besoj se Maqedonia ka perspektivë europiane. Dëshmi për këtë është edhe vizita e komisionerit për zgjerim dhe fqinjësi, Johanes Han. Ne na mbetet që të përkushtohemi pas organizimit të zgjedhjeve dhe në mënyrë më intensive të implementojmë të gjitha ato reforma që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës ekonominë dhe me procesin e legjislacionit tonë me të drejtën e BE-së”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi.
 
Ademi tha se vendit i mbetet që të përkushtohet në organizimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike.
 
"Duhet të tregojmë dhe të dëshmojmë se kemi kapacitet dhe përkushtim që të organizojmë zgjedhje në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rezultatet e së cilave do të pranohen. Mbetet angazhim i ynë më pas në mënyrë intensive të vazhdojmë t'i zbatojmë reformat, me qëllim që Maqedonia të afrohet në realizimin e qëllimit të saj strategjik, ndërsa ai është anëtarësimi i Maqedonisë në BE",- theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi.
 
Këto komente Ademi i bëri gjatë përmbylljes së projektit “Përforcimi i kapaciteteve organizative dhe institucionale për procesin e integrimit europian”, i realizuar me Fondet IPA, i fokusuar në përmirësimin e kapaciteteve administrative në koordinimin më të mirë ndërsektorial dhe menaxhimin e Fondeve IPA.
 
NAIM RAMADANI