Maqedoni
Kuvend, kush u ikë zgjedhjeve të dhjetorit?!
13.10.2016 18:08
“Kush u ikë zgjedhjeve të dhjetorit”, ka qenë çështja që sërish ngritën deputetët e pushtetit dhe opozitës në Kuvendin republikan...

Sipas opozitës, vendimi i shumicës parlamentare që të mos pranojë asnjërën nga dy nismat për shpërndarjen e Kuvendin një ditë më parë, dëshmon se janë partitë në pushtet ato që u ikin zgjedhjeve.
“Propozimi i opozitës edhe sipas rregullores edhe sipas ligjit, së bashku me kërkesën për seancë urgjente, ishte e qartë. VMRO dhe BDI, dje, ikën nga zgjedhjet. I ikën shpërndarjes së Kuvendit. Pastaj kushtëzoni me miratimin e buxhetit. I mashtroni qytetarët se nuk do të paskëshka pensione, paga dhe ndihma sociale. Propozimi ishte i qartë dhe i pakushtëzuar, jo si i juaji”,- deklaroi Goran Sugarevski nga LSDM.
Mirëpo, VMRO dhe BDI kanë hedhur poshtë pretendimet e LSDM-së. Sipas tyre, opozita maqedonase është ajo që po kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në vazhdimësi.
“Me të vërtetë pyetem nëse ka dikush, përfshi edhe kolegun Sugarevski, që beson në tregimin se VMRO ikë nga zgjedhjet. Dy vjet ju lusim, dy vjet bëni lloj-lloj përpjekjesh, imagjinoni fantomë, imagjinoni trupa censurues, çfarë nuk shpikët, vetëm që t’u ikni zgjedhjeve, prandaj koleg Sugarevski mos u shqetësoni se në emër të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së do t’ju kumtojë se menjëherë pas miratimit të buxhetit të RM-së grupi parlamentar, pa hamendje, do të votojë për shpërndarje të Kuvendit”,- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
“Dy herë kërkuat të shkoni në zgjedhje, ne të BDI-së ua nënshkruam nismën për t’u vetëshpërndarë. Qanit nëpër mbarë botën për të mos shkuar në zgjedhje. Për këtë ne nuk jemi fajtorë”,- theksoi Talat Xhaferi nga BDI.
“Ju ishit po ai që kërkuat nga Gjykata Kushtetuese që të kthehet Kuvendi. Por, pak rëndësi ka”,- u shpreh Goran Sugarevski nga LSDM.
Nismat e opozitës për shpërndarje të Kuvendit është vënë në rend dite në seancën e 125-të të Kuvendit pas nismës së njëjtë të deputetit, Pavle Trajanav. Të dy nismave u paraprin buxheti për vitin 2017, si pikë e parë në këtë seancë.
SHPËTIM NUREDINI
