Botë
Konflikti në Jemen - Sulmohet luftanija amerikane, shkatërrohen 3 radarë të rebelëve
13.10.2016 20:05
Një luftanije e flotës së Shteteve të Bashkuara u shënjestrua të mërkurën në një sulm reaktiv nga territore në Jemen, të kontrolluara nga rebelët e lëvizjes Houthi, e cila gëzon mbështetjen e Iranit...

Sipas ushtrisë amerikane, ky është incidenti i dytë i këtij lloji në katër ditë. Tre radarë të përfshirë në këtë sulm, janë shkatërruar me autorizim të presidentit Obama. Ndërkohë zyrtarët amerikanë thanë se sulmi mbi luftanijen nuk kishte shkaktuar asnjë dëm, pasi reaktorët ranë në ujë para se të mund të godisnin shënjestrën.
Këto përpjekje për të goditur flotën amerikane do të shtojnë presionin mbi ushtrinë për t’u kundërpërgjigjur, gjë e cila do të përbëjë aksionin e parë të drejtpërdrejtë ushtarak të SHBA ndaj rebelëve të përfshirë në konfliktin e Yemenit. Një koalicion multinacional i udhëhequr nga Arabia Saudite dhe i mbështetur nga SHBA, po kryen një fushatë ajrore kundër lëvizjes Houthi.Megjithatë, mbështetja amerikane për këtë koalicion është zvogëluar pas një sulmi ajror në një sallë funeralesh në kryeqytetin e Yemenit më herët gjatë këtij muaji, që i mori jetën 140 personave. Uashingtoni ka deklaruar se do të rivlerësojë mbështetjen në bazë të parimeve, vlerave dhe interesave të SHBA.
Sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 4.125 civilë kanë mbetur të vrarë dhe 7.207 të tjerë janë plagosur, që kur koalicioni u përfshi në konfliktin mes forcave besnike të qeverisë së Yemenit dhe aleatëve të grupit Houthi, në mars 2015.
