PDSH vazhdoi fushatën në Debresh
Partia Demokratike Shqiptare fushatën e saj parazgjedhore e vazhdoi mbrëmë në Debresh të Gostivarit.......

Partia Demokratike Shqiptare fushatën e saj parazgjedhore e vazhdoi mbrëmë në Debresh të Gostivarit.
Lideri i PDSH-së, Mendu Thaçi, para banorëve të kësaj ane u përqëndrua në zhvillimin e rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, duke thënë se atë ditë nuk ka pasur zgjedhje të lira dhe demokratike, sepse qytetarët shqiptarë në momentin që kanë dalë nga shtëpia e tyre, ka qenë evidente se për cilën parti do të votojnë.
Më 27 prill pres që të gjithë shqiptarët masovikisht të dalin në vendvotime dhe të votojnë PDSH-në, tha Thaçi, duke shtuar se 40 mijë ushtarë të rrethit të parë ju treguan edhe maqedonasve se kjo ishte një test dhe këta luftëtarë do ta mbrojnë edhe lirinë edhe demokracinë e shqiptarëve. 27 prilli së bashku me votat e shqiptarëve do të jetë fillim i një politike të re në vend, politikë dhe program i PDSH-së, që do të ndryshojë situatën politike në vend.
“Këta 40 mijë ushtarë u treguan edhe maqedonasve se kjo ishte një test, po të doni ta provoni, këta luftëtarët do ta mbrojnë lirinë te shqiptarët, e mbrojnë edhe demokracinë edhe lirinë edhe të drejtën e të shprehurit. Pushteti i PDSH-së është përkujdesur për ta kultivuar aspektin shpirtëror të shqiptarëve që janë 99% mysliman, direkt me financim të çdo xhamie dhe të BFI-së dhe kjo nuk është poentim politik, por përcaktim i vërtetë i një partie, për ta ngritur kombin e vet atje ku duhet. A do të jetë kjo bete shumë e rënd, po është e vërtet, do të jetë shumë e rënd, por ne nuk e kemi ndërmend as një milimetër të lëshojmë pe. Këto 40 mijë atë ditë rrinin në pozita dhe ju thoni ne jemi këtu hajdeni t’ju shohim. E më 27 ne do nisemi drejt atyre. Një angazhim maksimal i yni deri më 27, tërësisht do ta ndryshojë situatën. Të gjitha raportet e diplomatëve të ndryshëm që ju kanë dërguar shteteve të tyre, flasin se në Maqedoni situata është shumë në rrezik, ditën e zgjedhjeve dolën 40 mijë ushtarë që thanë “ne se pranojmë këtë padrejtësi”. S’ka qenë ajo atë ditë votim, ka qenë demonstrim i forcës, i gatishmërisë së njerëzve për ta mbrojtur lirinë e vet dhe më 27 jo që do të jetë 100 mijë, 120mijë, por do të jetë mënyrë plebishitare, një vërtetim i këtij programi dhe kësaj platforme”, - deklaroi kryetar i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Lideri i PDSH-së, kërkoi nga votuesit e kësaj zone, që të votojnë programin dhe kandidatët për deputet të kësaj partie, që përfundimisht të zgjidhet çështja e shqiptarëve një herë e përgjithmonë. Ai u shpreh se në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale edhe përkundër vështirësive të shumta, kanë arritur të votojnë ushtarët e kësaj partie, ndërsa sipas tij, në zgjedhjet parlamentare do të grumbullojnë më shumë se 120 mijë vota.
Kandidati për deputet i PDSH-së, Besar Ismaili, u shpreh se programi i kësaj partie parasheh mundësi më të mira për rininë shqiptare, projekte të cilat do jenë në interes të popullit shqiptar.
“Opsion i cili gjithmonë u ka hapur edhe derën edhe zemrën shqiptarëve, që të garojnë për të vendosur për fatin tonë, me punën dhe guximin që nuk na ka munguar asnjëherë. Ju jeni më të fuqishëm se ata dhe këtë mund ta dëshmoni më 27 prill, duke më votuar mua, duke votuar liderin e PDSH-së, si dhe Partinë Demokratike Shqiptare dhe sigurisht, më 28 prill do të shihni ndryshimin”, potencoi kandidati për deputet nga PDSH, Besar Ismaili.
Partia Demokratike Shqiptare tani del me një program ekonomik për vitin 2014 deri në vitin 2018. Në këtë program parashihet ulje e kontributeve prej 30 në 20%, me çka sipas kësaj partie, kjo do të mundësojë hapjen e vendeve të reja të punës, do të angazhohen maksimalisht që shqiptarët të kenë qasje më të lehtë te subvencionet, me ç’rast do të përkujdesen që në agjensionet rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, të punësohen të rinjtë shqiptarë, të cilët do të udhëzojnë bujqit se si më së lehti të arrijnë deri te subvencionet.
Kandidatët për deputet të PDSH-së, shprehen se programi i PDSH-së është në dobi të shqiptarëve, por realizimi mund të arrihet vetëm nëse më 27 prill do të votohet për programin e PDSH-së.
Lideri i PDSH, Thaçi edhe para banorëve të Debreshit akuzoi BDI-në për projektin “Shkupi 2014”, për enciklopedinë maqedonase dhe për aksionet policore, sipas tij, pozita e shqiptarëve, e cila u krijua më 13 prill, është shembull për partitë maqedonase se si të arrijnë ta marrin votën e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni. Thaçi para banorëve të Debreshit deklaroi se nëse PDSH-ja vjen në pushtet, nuk do të lejojë që qytetarët shqiptarë të shfrytëzohen nga dikush.
Thaçi para simpatizantëve në këtë tubim, tha se Partia Demokratike Shqiptare nuk ka standarde të dyfishta dhe se kërkesat e shqiptarëve janë të njëjta si të PDSH-së, janë kërkesa shume të qarta, pra parlament dy dhomësh, ndarja e buxhetit të shtetit sipas kontributit të vërtetë që shqiptarët japin në këtë buxhet, zyrtarizimi i vërtetë i gjuhës shqipe, si dhe ndryshimi i emrit kushtetues të Maqedonisë, me qëllim të hapjes së rrugës së Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Të gjitha këto ndryshime do të realizohen nëse më 27 prill PDSH-ja merr mbështetjen tuaj, tha lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, në Debresh të Gostivarit. (Sanije Kasami, TVM2)
