Organizimi i zgjedhjeve në dhjetor, Johanes Hahn arrin në Shkup
Komisari për negociata për zgjerimin e Bashkimin Evropian, Johanes Han sot do të qëndrojë në Shkup...

Komisari për Zgjerim i Bashkimit Europian, Johanes Han, sot qëndron në Shkup, ku është paraparë të takohet me kryeministrin, Emil Dimitriev, liderët e katër partive më të mëdha politike, me prokuroren speciale dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Qëllimi i vizitës, siç theksohet në kumtesën e Komisionit Europian, është "që të bëhet kontroll në ndodhitë politike dhe të diskutohet për rrugën përpara, veçanërisht në lidhje me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor, si dhe zbatimin e prioriteteve të ardhshme reformuese".
Dje, eurokomisari Han dërgoi porosi se "është me rëndësi që kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme të realizohen".
"Marrëveshja e arritur gjatë verës së kaluar nga ana e të gjitha partive kryesore politike dhe caktimi i datës së zgjedhjeve për këtë dhjetor është një hap i mirë. Megjithatë, ky është fillimi, me rëndësi është që kushtet e zgjedhjeve të besueshme të realizohen plotësisht dhe qytetarët të mund lirshëm të marrin pjesë në to",- thotë Han.
