BDI me përkushtim punoi drejtë integrimeve
BDI sot prezantoi para diplomatëve platformën e saj politike për eurointegrimin e vendit............

Bashkimi Demokratik për Integrim theu tabunë se Sekretariati për Eurointegrime dhe Ministria e Mbrojtjes janë të rezervuara vetëm për maqedonasit. Në mandatin e ri BDI synon edhe Ministrinë e Jashtme, për të realizuar një ndër shtyllat e saj të platformës politike, integrimin në strukturat euroatlantike.
BDI sot prezantoi para diplomatëve platformën e saj politike për eurointegrimin e vendit.
Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi, tha se BDI është e gatshme të drejtojë çdo sektor dhe të trajtojë çdo çështje me përgjegjësi. “Ne gjithsesi si subjekt politik në agjendën tonë politike kemi avancimin e statusit të shqiptarëve, mirëpo ne vlerësojmë se duhet të shkojmë më tutje”, thotë Besimi.
“Nuk mund të ketë në Maqedoni tema të rezervuara për një etnitet dhe një etnitet tjetër. Ne jemi të gatshëm për tema të rëndësishme në interes shtetëror, për të gjithë qytetarët të marrim përgjegjësi dhe ta çojmë vendin përpara. Me marrjen e Ministrisë së Mbrojtjes, BDI riktheu bashkëpunimin edhe me fqiun jugor, Greqinë ”, deklaroi Fatmir Besimi nga BDI.
Sipas ministrit, Talat Xhaferi, në këtë periudhë bashkëpunimi rajonal ka qenë në fokus.
“Në kontinuitet kemi arritur që të bëjmë debatin dhe takimet e duhura, për të ngit nivelin e bashkëpunimit ndërfqinjësorë, si përcaktim bazë i politikave të jashtme integruese të NATO-s dhe BE-së, si vlerë për fqinjësi të mirë”, u shpreh Talat Xhaferi nga BDI.
Me shumë kujdes dhe interes për MPJ-në, më shumë mbështetje për diplomatët shqiptarë dhe të punësuarit në MPJ, të merren drejtoritë primare, siç është ajo për bashkëpunim me fqinjët dhe Drejtoria për NATO-n, thonë diplomantët, duke shtuar se shqiptarët kanë kuadro që mund të drejtojnë me sukses MPJ-në, drejtoritë dhe ambasadat më të rëndësishme.
“Edhe kjo Ministri që është sot për sot ende e rezervuar për maqedonasit, shumë shpejt ndoshta do të udhëhiqet nga kuadro shqiptare. Ne kemi kuadro ndoshta jo më të zotë se ata, por të barabartë me ata 100%”,tha diplomati Iliaz Sabriu.
Sipas diplomatit në pension, Salim Qerimi, BDI duhet të ketë parimore zgjidhjen e kontestit për emrit. Pa zgjidhjen e kontestit nuk ka integrim, thotë Qerimi. Sipas tij edhe pala maqedonase është për ndërrimin e emrit, ndërsa deklarimet kundër janë vetëm bllof politik.
“Këtë çështje ta vendosni në letër dhe ta kushtëzoni brenda mandatit katër vjeçar, kjo çështje të zgjidhet patjetër. Se nuk ka asçfarë kuptimi, ne 23 vjet i kaluam, nuk mund të presim edhe në 20 vitet e ardhshme”, u shpreh diplomati në pension, Qerimi.
Ndërkaq diplomati në pension, Sami Ibrahimi, u rekomandoi zyrtarëve të BDI-së, që të kenë më shumë kujdes në përzgjedhjen e kuadrove që dërgojnë ambasadorë në qendrat e vendosjes. Madje të kontestojnë edhe kuadrot dhe partnerët nëse nuk i plotësojnë kriteret. Sipas tij, aktualisht në NATO është dërguar një diplomat që është deklaruar kundër NATO-s.
“Martin Treneski është kundër NATO-s, në NATO është një miku ynë Rasmuseni. Ai deklaroi se është kundër NATO-s, e marrin dhe e çojnë ambasador pikërisht në NATO. Evropa këto gjëra i mat shumë mirë”, potencoi diplomati në pension, profesor Sami Ibrahimi.
Gjatë prezantimit të platformës, zyrtarët e kësaj partie deklaruan se me theks të posaçëm mbetet bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën. Pas liberalizimit të vizave, me Shqipërinë punohet për liberalizim të vizave edhe me Kosovën, takim i përbashkët i qeverive të dy vendeve dhe zbatimi i 26 marrëveshjeve për bashkëpunim, që Shkupi ka nënshkruar me Prishtinën. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
