Integrimi euroatlantik, autoritetet: Reformat janë prioriteti ynë

14.10.2016 16:24

Maqedonia duhet të vazhdojë me reforma në të gjitha fushat...

Maqedonia duhet të vazhdojë me reforma në të gjitha fushat me të vetmin qëllim, që të jenë sa më afër Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Ambasadori norvegjez porositi autoritetet të ndërtojnë struktura qeveritare të gatshme për të vazhduar procesin e negociatave. Autoritetet premtojnë se reformat mbeten prioritet për vendin.

“Ne duam ta përkrahim Maqedoninë në përpjekjet e saj në hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Një ndër kushtet kryesore është që të ndërtohet mirë struktura qeveritare dhe të vazhdoni në procesin e negociatave”,- tha  ambasadori i Norvegjisë në RM, Arne  Sannes Bjornstad.

“Maqedonia, që nga pavarësia ka angazhim strategjik anëtarësimin në BE. Gjatë kohë jemi në procesin e anëtarësimit dhe janë miratuar reforma të shumta, por jemi të vetëdijshëm se para nesh qëndrojnë edhe shumë sfida”,- tha zv.kryeministri, Arber Ademi.

Një nga sfidat është edhe përballja me krizën e refugjatëve. Kriza nuk përballohet e vetme, por përmes bashkëpunimit dhe progresi në procesin e integrimit do të kontribuojë në përforcimin e stabilitetit rajonal.

“Maqedonia ishte një nga rrugët kryesore transitore. Çdo ditë në Ballkan kanë  kaluar mijëra migrantë, por Europa e kuptoi se është e pamundur që kriza të përfundojë me zgjidhje të pjesshme. Pavarësisht madhësisë dhe gatishmërisë institucionale të një shteti, i vetëm ai nuk ka asnjë mundësi të përballet me krizën e  refugjatëve, sepse numri ishte tejet i madh”,- tha ministri i Punëve të  Brendshme, Oliver Spasovski.

“Progresi në procesin e integrimit në NATO dhe BE do të kontribuojë në përforcimin e stabilitetit jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon dhe më gjerë”,- tha ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.

Projekti i financuar nga Mbretëria norvegjeze siguroi trajnime të specializuara për më shumë se 300 nëpunës shtetërorë nga më shumë se 30 institucione, ndërkaq sot u dhanë certifikata për 180 kandidatët më të suksesshëm. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)