Maqedoni

Han viziton Shkupin, takon liderët politik dhe institucional

14.10.2016 17:01

Rëndësia e mbajtjes së zgjedhjeve të 11 dhjetorit, duke respektuar Marrëveshjen e Përzhinës...

Rëndësia e mbajtjes së zgjedhjeve të 11 dhjetorit, duke respektuar Marrëveshjen e Përzhinës dhe funksionimin e Prokurorisë Speciale, ishin në fokusin e vizitës së eurokomisarit, Johanes Han, në Shkup.
 
Eurokomisari fillimisht ka takuar përfaqësues të sektorit civil, kryeministrin teknik, Emil Dimitriev, prokuroren speciale, Katica Janeva, për të përfunduar me katër liderët politik të vendit.
 
Kryeministri, Emil Dimitriev, është shprehur se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme e krizës.
 
“Qeveria për realizimin e zgjedhjeve është e fokusuar në zbatimin e të gjitha aktiviteteve të nevojshme për zgjedhjet e 11 dhjetorit. Zgjedhjet janë zgjidhje e vetme e krizës politike dhe rruga drejt krijimit të një qeverie të bazuar në vullnetin e qytetarëve”,- është shprehur Dimitriev.
 
Pas takimit me Han, Janeva tha se kanë diskutuar për vazhdimin e mandatit të PSP-së dhe problemet me të cilat ndeshet ky institucion. Ajo pret që kuvendi të miratojë ligjet para shpërbërjes.
 
“Shpresoj që kuvendi t’i miratojë ligjet deri në shpërbërje, shpresoj”,- tha prokurorja speciale, Katica Janeva.
 
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë takimit me Han ka mbështetur zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, punën e Prokurorisë Speciale, por jo edhe miratimin e ligjeve të Janevës para shpërbërjes së kuvendit. Ahmeti thotë se nuk ka kohë për marrëveshje të reja.
 
“Gjithashtu në takim rikonfirmova përkrahjen për Prokurorinë Speciale dhe aspak të mos pengohet funksionimi i prokurorisë. Mendoj se për të bërë ligje të reja duhet marrëveshje e re dhe aktualisht koha nuk premton për të bërë negociata mbi një marrëveshje të re dhe shumë me rëndësi është të respektohet marrëveshja e arritur”,- theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ndërkaq, lideri i PDSh-së Thaçi thotë se partia e tij do të mbështesë ligjet për PSP-në dhe balancimin e numrit të votuesve në njësitë zgjedhore. PDSh, sipas Thaçit, do të jetë partia e parë e cila nuk do të pranojë rezultatin zgjedhor në rast të parregullsive zgjedhore.
 
“Nuk do të thotë se janë përmbushur të gjitha kushtet për zgjedhjet korrekte dhe demokratike. Për ne PDSh-në, deri në momentin kur do të shpallet rezultati përfundimtarë i zgjedhjeve, VMRO dhe BDI, nëse bëjnë një shkelje të vogël, përsëritje të shkeljeve në zgjedhjet e kaluara, këto zgjedhje do të jenë të pavlefshme dhe ne këto zgjedhje do t’i bojkotojmë”,- tha lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi.
 
Han, liderët maqedonas, Zaev dhe Gruevski, i ka takuar në selitë e dy partive. Në takimin me Zaevin është konkluduar se gjithë faktorët duhet të respektojnë obligimet për zgjedhje fer dhe demokratike.
 
“Përfaqësuesit e LSDM-së në qeverinë teknike janë të fokusuar në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta më 11 dhjetor, ku do të zgjidhet qeveri legjitime. LSDM mbështet ligjet e kërkuara nga Prokuroria Speciale”,- është shprehur Zaev.
 
Ndërkaq, Gruevski është shprehur se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme nga kriza.
 
”Janë përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Për besueshmërinë e mbarë procesit është i nevojshëm angazhimi i të gjitha partive politike”,- ka theksuar Gruevski.
 
MERAL ISMAILI