Maqedoni

“Dita e ashures”, manifestim tradicional në Çarshinë e Shkupit

14.10.2016 17:21

Për të 11-tën herë me radhë, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit u organizua manifestimi tradicional “Dita e Ashures”...

Ky aktivitet, përveç karakterit kulturor, ka edhe dimension historik, fetar dhe humanitar. Dita e Ashures është dita e dhjetë e muajit Muharem.
 
“Dita e Ashures është dita e sakrificës, e solidaritetit, humanitetit, bamirësisë, dita e paqes, mirëqenies, besimit, si dhe dita e bashkëjetesës në forma të ndryshme, duke respektuar vlerat dhe karakteristikat e një vendi. Ashurja edhe si ëmbëlsirë edhe si manifestim reflekton Maqedonisë multietnike, multikulturore, multikonfesionale, pasi në këtë ëmbëlsirë, në këtë haje kemi elemente të ndryshme që atë e bëjnë shumë më të mirë, shumë më të bukur shumë më të shijshme”,- tha kryetari i OH “El Hilal”, Behixhudin Shehapi.
 
Manifestimi organizohet nga ana e Organizatës humanitare “El Hilal” në bashkëpunim me Organizatën “Ensar”.
 
Mbështetje për këtë aktivitet kanë dhënë edhe qyteti i Bursës në bashkëpunim me komunën e Çairit.
 
Në kuadër të aktivitetit “Dita e Ashures”, kjo ëmbëlsirë është paraparë të shpërndahet për rreth 3 mijë qytetarë në Çarshinë e Vjetër, lagjen e Çairit dhe në komunën e Sarajit.
 
BELINDA KOKA-ADEMI