Maqedoni
Bashkimi i opozitës jashtparlamentare, dështon edhe nisma e Pollozhanit
15.10.2016 17:25
Dështon edhe një përpjekje për bashkimin e opozitës shqiptare jashtparlamentare...

Nismës së Shoqatës së të burgosurve dhe të dëmtuarve politikë shqiptar iu përgjigj vetëm LR PDSh dhe PPD.
“Ne nuk kërkojmë asgjë më tepër, vetëm të ulen dhe të kuvendojnë si vëllai me vëllanë. Në momentin që do të ulen ne si shoqatë largohemi pa asnjë lloj pretendimi që të ndikojmë me ndonjë platformë a ndonjë program, shprehet”, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve dhe të dëmtuarve Politik në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani.
Sipas Pollozhanit, partitë tjera që nuk i janë përgjigjur ftesës, nuk kanë dhënë ndonjë arsye për mosprezencë. Kryetari i LR – PDSH-së, Ziadin Sela, thotë se bashkëpunimi opozitar duhet të ndërtohet mbi parimin e respektit të ndërsjellë.
“Edhe unë mendoj se do të bëhet bashkëpunimi i subjekteve politike shqiptare jashtparlamentare. Po të mos mendonim në këtë formë nuk do të ishim këtu vec për të bërë ndonjë shou mediatik, por erdhëm për të bërë realisht bashkëpunimin opozitar dhe do t’u përgjigjemi edhe ftesave të tjera”, shprehet kryetar i LR PDSh-së, Ziadin Sela.
Për kreun e PPD-së, Abdulhadi Veseli, takimi paraqet një fillim të mbarë për bashkimin e opozitës.
Shoqata e të Burgosurve dhe të dëmtuarve Politik në Maqedoni pretendonte që të bashkoj opozitën shqiptare jashtparlamentare dhe unifikimin e votës opozitare, pasi gjykon se me sistemin ekzistues zgjedhor (të Dontit), të gjitha ato parti që nuk do të arrinin të fitojnë numër të nevojshëm të votave për të zgjedhur një deputet, votat e atyre partive do t’u shkojnë partive më të mëdha, sic ndodhi me votat e DR dhe të RDK në zgjedhjet e vitit 2011.
Pak ditë më parë dështoi nisma e thirrur nga kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Asaj nisme nuk iu përgjigj LR – PDSH, UNITETI, dhe as RDK-ja e Vesel Memedit.
SHPËTIM NUREDINI
