Botë

Zgjedhjet presidenciale SHBA, Trump sulmon

16.10.2016 20:01

Donald Trump ka sulmuar ashpër rivalen e tij Demokrate, duke thënë se Hilari Klinton ishte e droguar gjatë debatit të fundit televiziv...

Për këtë kandidati Republikan kërkoi kryerjen e një testi anti-drogë përpara debatit të ardhshëm.
 
Donald Trump ka hedhur hipotezat se rivalja e tij Demokrate, Hilari Klinton ka përdorur lëndë narkotike në debatin e dytë televiziv për zgjedhjet presidenciale. “Mendoj se tani po e drogojnë”, është shprehur kandidati Republikan për Shtëpinë e Bardhë në një takim elektoral në Portsmouth të Nju Hempshër. Ai ka sygjeruar që të dy kandidatët t’i nënshtrohen një testi anti-drogë përpara duelit televiziv të radhës që zhvillohet të Mërkurën.  
 
“Këto zgjedhje janë të trukuara nga mediat që shpërndajnë akuza false dhe gënjeshtra për të zgjedhur Hilarin e korruptuar”, ka shkruar Trump në Tuitër. Kështu ai i cilëson akuzat për ngacimime seksuale si “100% të fabrikuara” të cilat mund të helmojnë mendjen e amerikanëve, ndërsa flet edhe për një komplot nga mediat dhe nga drejtuesit e fushatës së Klinton.
 
Pikërisht në një kohë kur kandidati republikan thekson se nuk i njeh femrat që e akuzojnë për ngacmime seksuale, të cilat i quan “Gënjeshtare, femra të sëmura në kërkim të famës, shfaqet një tjetër skandal. Kathi Heller, 63 vjeç, ka thënë për The Guardian se është takuar me Trump për herë të parë dhe të fundit 20 vite më parë, në një festë për nënat e organizuar në një rezidencë luksoze në Florida. “Më kapi për dore dhe tentoi të më puthte”, tregon e moshuara duke theksuar se pavarësisht shmangjeve të saj, Trump ia arriti qëllimit të tij.
 
Ndërkohë, një sondazh i fundit i publikuar nga Rojters tregon epërsinë e Hilari Klinton me 7 pikë avantazh ndaj rivalit Republikan. Sipas agjensisë ndërkombëtare të lajmeve, shkak për këtë avantazh të kandidates Demokrate është largimi i mbështetësve femra nga Trump pas publikimit të shumë skandaleve./abcnews