Botë

Beteja për Mosulin, Iraku nis operacionin, OKB shpreh shqetësim për civilët

17.10.2016 11:12

Ushtria irakiane ka nisur operacionin për të rimarrë qytetin e Mosulit nga ekstremistët e “Shtetit Islamik”...

Sulmet me artileri të rëndë nisën në mëngjesin e sotëm. Në një prononcim për mediat, kryeministri i vendit, Haider al-Abadi, tha se ka ardhur koha që vendi të çlirohet nga kthetrat e “Shtetit Islamik”. 
 
Aktualisht në Mosul dyshohet se janë 4.000 deri në 8.000 luftëtarë të ISIS-it. Nga radhët e ushtrisë në operacion marrin pjesë rreth 25.000 trupa dhe vullnetarë të disa grupimeve lokale që kanë luftuar me organizatën terroriste.
 
Në rast se operacioni do të rezultojë i suksesshëm, ky mund të jetë një hap gjigant në luftën kundër “Shtetit Islamik”, pasi Mosuli shihet si një pikë mjaft e rëndësishme strategjike për këtë organizatë terroriste.
 
Operacioni është parë me shqetësim nga ekspertët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilët nënvizojnë se nga përplasjet mes palëve mund të preken edhe qytetarët.
 
Sipas OKB-së, në zonën ku do të zhvillohen luftimet jetojnë afro 1.5 milionë qytetarë. Mosuli është qyteti i vetëm që ISIS e ka nën kontroll në Irak dhe ka rënë në duart e ekstremistëve që prej vitit 2014.
 
ISIS ka humbur rreth një të katërtën e territoreve që kontrollonte në lindjen e mesme, që prej janarit të vitit 2015. 
 
Ekspertët janë shprehur se në këto kushte “Shteti Islamik” mund të kërkojë hapësira të tjera për të ushtruar ndikimin e tij, siç mund të jenë vendet e Afrikës Veriore.
 
GAZMEND KURTISHI