Botë
Zgjedhjet në Mal të Zi, fiton Gjukanoviç, humbin thellë partitë shqiptare
17.10.2016 13:00
Pavarësisht se asnjë nga listat e partive nuk ka marrë shumicë absolute mbi 41 mandate nga 80 mandate që ka Parlamenti i Malit të Zi...

Pavarësisht se asnjë nga listat e partive nuk ka marrë shumicë absolute mbi 41 mandate nga 80 mandate që ka Parlamenti i Malit të Zi, partia e Milo Gjukanoviçit, e cila ka dalë dhe e vetme në këto zgjedhje, ka arritur të fitojë sërish më shumë mandate sesa partitë e tjera, pasi ka siguruar 36 mandate.
Duke ditur aleatët e përhershëm paszgjedhor të Gjukanoviçit, që janë pakicat boshnjake, kroatët, shqiptarët dhe një nga partitë malazeze, Gjukanoviç duket se nuk do e ketë të vështirë të krijojë shumicën e mandateve për të formuar qeverinë e re.
“Mali i Zi do të vijojë rrugëtimin e tij drejt Perëndimit. Në muajt që do të vijnë do të ratifikojmë marrëveshjen për anëtarësimin në NATO si dhe do të vazhdojmë përpjekjet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ne besojmë se brenda mandatit tonë të radhës do të arrijmë ta dërgojmë vendin në BE”,- tha kryetari i PDS-së, Millo Gjukanoviq.
Partia proserbe e Frontit Demokratik, e cila ishte dhe shqetësimi kryesor për të ardhmen europiane të Malit të Zi, ka arritur të marrë 18 mandate. Por, këto zgjedhje ishin një humbje e madhe për faktorin politik shqiptar, që deri tani ka arritur të nxjerrë vetëm një deputet, Genc Nimanbegun nga lista “Shqiptarët të Vendosur”.
Humbja e partive shqiptare ishte një humbje e paralajmëruar për shkak të ndarjeve e përçarjeve të thella mes tyre. Në Mal të Zi ka plot tetë parti shqiptare për 20 mijë votues shqiptarë që ka i gjithë Mali i Zi dhe këto tetë parti në këto zgjedhje dolën me tre koalicione të ndryshme apo tre lista.
Kjo bëri që shqiptarët të kenë momentalisht dhe përfaqësimin më të ulët që kanë pasur ndonjëherë në këto 25 vite, me vetëm një deputet në Parlament.
Nëse shqiptarët do të dilnin me një koalicion të vetëm, do kishin mundësi të merrnin deri në pesë mandate, duke u bërë vërtet një faktor përfaqësues dhe i rëndësishëm i pakicave shqiptare në Mal të Zi.
GAZMEND KURTISHI
