Maqedoni

Kuvend, dështon iniciativa e PDSh-së për njësitë zgjedhore

17.10.2016 14:27

Me 83 vota kundër dhe 20 për, Kuvendi ka dështuar edhe në një përpjekje...

Me 83 vota kundër dhe 20 për, Kuvendi ka dështuar edhe në një përpjekje, kësaj radhe me iniciativë të grupit parlamentar të PDSh-së për të ndërhyrë në Kodin Zgjedhor për sa i përket pabarazisë së numrit të votuesve nëpër njësitë zgjedhore të parashikuar me ligj prej +-5%.
 
Imer Aliu nga PDSh sqaroi se me këtë numër më të madh votuesish që ka njësia e gjashtë zgjedhore në raport me njësitë tre dhe katër, dëmtohen votuesit shqiptarë.  
 
“Ne kërkojmë që ky parlament t’i miratojë këto ndryshime që ne i propozojmë me të vetmin qëllim, që të ndreqet një padrejtësi që u bëhet shqiptarëve me atë që vota e shqiptarëve vlen më pak se një votë e maqedonasit. Është shumë e thjeshtë, njësia zgjedhore numër 6 ka mbi 30 mijë votues më shumë se mesatarja e njësive tjera zgjedhore, kurse p. sh. njësia zgjedhore numër 3 ka diku 25 mijë votues më pak se mesatarja dhe kjo dallimin nuk e bën 5%, por 9.5-9.8%, që janë diku rreth 30 mijë vota që njësia zgjedhore numër 6 i ka në raport me njësitë zgjedhore numër tre dhe katër. Dhe ky numër i votave rritet tej mase. Unë nuk e shoh se si mund të shkohet në zgjedhje pa e rregulluar këtë çështje, e cila është e detyrueshme për të pasur zgjedhje legjitime”,- tha Imer Aliu nga PDSh.
 
VMRO-DPMNE dhe LSDM votuan kundër, ndërsa BDI votoi për propozimin e PDSh-së, por deputeti, Xhevat Ademi, tha se PDSh e kishte të qartë, pasi që paraprakisht nuk kishte konsensus politik mbi këtë propozim. Sipas tij, është mirë që doli në shesh se kush është kundër.
 
“Jo gjithçka në fjalën e propozuesit qëndron, jo gjithçka ka bazë ligjore, por në esencë si fill i kuq qëndron barazia e votës së qytetarit, prandaj grupi parlamentar i BDI-së votoi për, për t’i dëshmuar grupit parlamentar të PDSh-së se nuk jemi ne armiqtë tuaj, nuk jemi ne kundërshtarët tuaj. Armiqtë dhe kundërshtarët i keni te këta që votuan kundër dhe dua që të përcjell edhe një moment që ndodhi sot. E shumëpërfolura filozofi e re që promovon LSDM me ofertë në adresë të votuesve shqiptarë sot u dëshmua në një akt të thjeshtë votimi për një propozim të diskutueshëm”,- tha Xhevat Ademi nga BDI.
 
Aktualisht, njësia e gjashtë zgjedhore ka 5.28 për qind më shumë votues se mesatarja e gjashtë njësive, ndërsa njësia e tretë dhe e katër kanë mbi katër për qind më pak. Me këtë, dallimi mes njësisë së tretë dhe asaj të katërt me njësinë e gjashtë arrin në gati 30 mijë votues.
 
NAIM RAMADANI