Botë

Luftimet në Mosul, rrëfimi i atyre që arritën të arratisen

17.10.2016 14:55

Shumë familje e kanë rrezikuar jetën e tyre për t’u larguar nga Mosuli....

Shumë prej atyre që u arratisën kanë rrezikuar edhe jetën e tyre që të largohen nga sundimi i ISIS-it. Familja e Amarit është njëra prej tyre. Në rrugën drejt lirisë, vogëlushi humbi syrin pas shpërthimit të një mine të vendosur nga ISIS. 
 
“Ne vendosëm të largohemi gjatë faljes së mbrëmjes kur xhihadistët shkojnë në xhami. Kur po kalonim pengesën e tretë me gjemba të vendosur nga ISIS, hasëm në një minë që shpërtheu”,- deklaroi i arratisuri nga Mosuli, Mahmood.
 
“Mbaj mend që arrita te gardhi dhe ktheva kokën të shoh ku është nëna ime kur mina shpërtheu dhe unë e pashë veten në ajër. ISIS të vret nëse nuk shkon në xhami, nëse nuk mban mjekër, nëse nuk vishesh si duan ata. Ata të vrasin nëse nuk u bindesh”,- theksoi i arratisuri nga Mosuli, Amar.
 
“E dija që ishte vendimi i duhur largimi nga Mosuli, ishim të uritur. Para ISIS-it burri im punonte në ushtri si punëtor civil, por ne kishim frikë se ata mund të na hakmerreshin dhe ta arrestonin. Edhe unë si grua nuk kisha më të drejta, më detyronin të vesh burkën, nuk kisha asnjë të drejtë”,- tha nëna e Amarit.
 
Por, në Mosul ka ende miliona civilë, fati i të cilëve është i paqartë, sidomos tani me fillimin e luftimeve. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI