Rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave

17.10.2016 16:02

Data 9 nëntor e këtij viti pritet të jetë historike për Shqipërinë...

Data 9 nëntor e këtij viti pritet të jetë historike për Shqipërinë. Burime nga Brukseli kanë bërë me dije se pikërisht në këtë ditë, Shqipëria pritet të marrë rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Megjithatë, rekomandimi do të jetë me kushte, dhe kushti kryesor është pikërisht zbatimi pikë për pikë i reformës për drejtësi.

Në këtë mënyrë, duket se reforma që i dha mjaft pikë Shqipërisë të përbëjë pengesën kryesore, pra ajo nuk quhet e vlefshme në sytë e ndërkombëtareve nëse nuk jep rezultate konkrete. Pas publikimit të raportit pritet që votimi në Këshillin e Europës të bëhet një muaj më vonë, pra në dhjetor.

Qeveria shqiptare ka kërkuar që zbatimi i kësaj reforme të bëhet paralelisht me integrimin e vendit. Shqipëria e mori statusin kandidat për në Bashkimin Europian në vitin 2014. Më së shumti ndërkombëtarët vlerësuan luftën kundër korrupsionit, kundër lëndëve narkotike e trafiqeve njerëzore.

Duket se për kushtin, që pritet të vendosë BE, janë të vetëdijshëm edhe kryeministri Rama dhe kabineti i tij qeveritar.

Pak kohë më parë Rama dhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, kanë paralajmëruar se zbatimi  reformës në drejtësi do të jetë vendimtare për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. (Luljeta Ndoka, TVM2)