Maqedoni
Problemi me transportin, nxënësit në protestë para Komunës së Tetovës
17.10.2016 16:37
Edhe pse disa javë më parë Komuna e Tetovës njoftoi se problemi me transportin e nxënësve është zgjedhur përfundimisht dhe të gjithë nxënësit do kenë të rregulluar transportin...

Edhe pse disa javë më parë Komuna e Tetovës njoftoi se problemi me transportin e nxënësve është zgjedhur përfundimisht dhe të gjithë nxënësit do kenë të rregulluar transportin, një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur.
Kjo ka detyruar nxënësit e Malësisë së Sharrit dhe prindërit e tyre sërish të protestojnë para Komunës së Tetovës, duke kërkuar nga komuna ta zgjidhë problemin. Protesta u shoqërua edhe me gjuajtje vezësh në drejtim të objektit të komunës.
Prindërit dhe nxënësit ankohen se që nga fillimi i vitit shkollor për transport paguajnë nga xhepi i tyre.
“Kemi dalë në protesta, pasi nuk kanë lëshuar asnjë buxhet që të vijnë nxënësit në shkollë dhe për atë shkak jemi në protesta. Nga sot kemi filluar dhe deri sa të rregullohet kjo çështje do t’i ndalojmë nxënësit”,- tha një prind.
“Kemi pasur transport, por me buxhetin e personave privat që kemi paguar vet, kanë premtuar se do t’i rregullojnë këto çështje, përndryshe nuk kanë bërë asgjë”,- theksoi një prind.
“Një herë kemi filluar me taxi të shkojmë dhe këta shprehen se nuk i paguajnë. Deri sa të përmirësohet gjendja nuk shkojmë në shkollë”,- u shpreh një nxënës.
“Prej se ka filluar viti shkollor prej xhepit tonë paguajmë”,- potencoi një nxënës.
Prindërit u takuan edhe me kryetaren e Komunës, e cila u premtoi se problemi do të zgjidhet.
Nga Komuna nuk kishin përgjigje përse problemi nuk është zgjidhur deri më sot edhe përkundër komunikatës që lëshuan javë më parë.
Nxënësit thonë se do të vazhdojnë me protesta deri sa nuk zgjidhet ky problem.
VISAR SADIKI
