Dita Ndërkombëtare Kundër Varfërisë, mbi 100.000 qytetarë jetojnë në varfëri
Maqedonia në nivel europian është një ndër vendet më të varfra....

Maqedonia në nivel europian është një ndër vendet më të varfra, pasi më shumë se 100 mijë qytetarë jetojnë në varfëri të skajshme, ndërsa më shumë se 1 milion e 200 mijë qytetarë nuk munden t’i plotësojnë nevojat elementare.
Kështu u tha në konferencën me temë “Edhe unë dua të kem jetën si të tjerët”, të organizuar nga platforma europiane kundër varfërisë dhe Fondacioni “Fridrih Ebert”.
“Porosia jonë është se shteti social nuk guxon të lejojë mbi 100 mijë qytetarë të tij të jetojnë në varfëri të skajshme, nuk guxojmë të lejojmë që mbi 1 milion e dyqind mijë qytetarë të mos mund të lidhin fillimin dhe fundin e muajit, duke mos mundur t’i plotësojnë nevojat elementare”,- deklaroi kryetarja e platformës europiane kundër varfërisë, Biljana Dukovska.
“Është fakt se në Maqedoni ka mbi 100 mijë qytetarë të cilët jetojnë në varfëri dhe kjo është e papranueshme. Politikanët në agjendën e tyre duhet ta kenë luftën kundër varfërisë”,- theksoi Milan Zhivkoviq nga Fondacioni “Friedrich Ebert”.
Shteti duhet të bëjë më shumë për qytetarët si dhe të angazhohet që shkallën e varfërisë ta ulë nën 18%. 1/3 e popullsisë së Maqedonisë jeton në prag të varfërisë. 150 000 qytetarë jetojnë me 40 denarë në ditë, thotë ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Remenski.
“Maqedonia në nivel europian është një nga shtetet më të varfra, si dhe kemi nivel shumë të lartë të papunësisë së të rinjve. Nga statistikat, 40% e familjeve ndodhen në prag të varfërisë, jetojnë me 40 denarë në ditë. Duhet të bëjmë më shumë për nevojat elementare të qytetareve dhe në luftën kundër varfërisë, sesa vetëm të mburremi me arkitekturën luksoze në Shkup”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Remenski.
Platforma kundër varfërisë dhe Fondacioni “Friedrich Ebertë” ftoi për pjesëmarrje në konferencë edhe politikanët, por ftesës iu përgjigj vetëm kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
