Maqedoni
Miratohet buxheti për vitin 2017, Minovski: buxheti për vitin 2017, zhvillimor
17.10.2016 17:42
Kuvendi republikan miratoi buxhetin për vitit 2017, i cili u kundërshtua nga opozita...

Ai është projektuar mbi projeksione për rritje ekonomike për 3%. Ministri i Financave theksoi se buxheti është zhvillimor dhe në të njëjtin janë paraparë nivele të larta të investimeve kapitale.
“Në përputhshmëri me kërkesën vendore dhe parashikimet e faktorit ekonomik ndërkombëtar, projeksioni për rritje ekonomike për vitin 2017 është në 3%. Presim që rritja e aktivitetit ekonomik vitin e ardhshëm të jetë i shoqëruar nga eksporti i stoqeve dhe shërbimeve, për të cilat kemi projektuar rritje për 6 %”,- deklaroi ministri i Financave, Kirill Minovski.
Gjatë diskutimit mbi buxhetin e vitit të ardhshëm kishte akuza të ndërsjella mes partisë në pushtet dhe asaj opozitare.
Nga LSDM thonë se votojnë kundër buxhetit, për shkak se siç thonë buxheti është i projektuar mbi paramentra joreale dhe me buxhetin tentohet manipulimi i qytetarëve për zgjedhjet e dhjetorit.
“Ky buxhet, i cili në formë të kriminalizuar është imponuar nga familja, bëhet për t’u gënjyer me gënjeshtrën më të madhe populli i Maqedonisë se ju vitin e ardhshëm do të bëni diçka. Nëse vërtet do të bënit, e kishin mundësinë të bënit deri më tani. Ky popull jeton në varfëri, ndërsa ju tani mundoheni të na bindni se në disa segmente jemi më të mirë se Gjermania apo Italia”,- deklaroi Goran Sugarevski nga LSDM.
Ndërsa nga VMRO-DPMNE theksuan se votimi për buxhetin e vitit 2017 është me një rëndësi të madhe, pasi që miratimi i buxhetit do të ndikojë në stabilitetin e sektorit të biznesit dhe zhvillimin e ekonomisë së Maqedonisë.
“Për shkak të politikave të mira ekonomike që i kemi edhe në pjesën fiskale edhe në atë makroekonomike, ne për vitin 2017 përsëri kemi parashikuar rritje ekonomike për 3%. Segmenti i dytë i rëndësishëm është se ulet deficiti buxhetor. Pas rebalancit të dytë për sanimin e dëmeve nga vërshimet, deficiti u rrit në 4.2%, ndërsa për vitin 2017 parashikohet që ajo përqindje të zvogëlohet në 3 %”,- tha Krste Mukovski nga VMRO-DPMNE.
PDSh vlerëson se buxheti është anti-shqiptar. Sipas partisë opozitare shqiptare, në buxhet shqiptarët janë të diskriminuar në çdo sferë, duke u nisur nga ajo e infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë e kështu me radhë.
“Prej Likove e deri në Frengovë të Strugës, ne përballemi me problemin e ujit të pijshëm. Është shekulli XXI, nuk ka kanalizime, nuk ka rrugë lokale të rregulluara, nuk ka rrugë rajonale, nuk ka çerdhe, nuk ka shkolla adekuate. Shkollimi superior është 9 me 1 në kurriz të shqiptarëve. Nëntë herë shkojnë me këtë buxhet të propozuar për universitetet maqedonase, një here tek ne, tek Universiteti i Tetovës”,- tha Orhan Ibrahimi nga PDSh.
Në buxhetin për vitin e ardhshëm të hyrat e përgjithshme janë planifikuar të jenë 187.612 miliard denarë. Shpenzimet totale janë në nivel prej 206.219 miliardë denarë. Deficiti buxhetor është paraparë të jetë 3% i BPV-së, ose 18.6 miliardë denarë.
ERSAN PAJAZITI
