Maqedoni

Shpërbëhet Kuvendi republikan, Maqedonia në zgjedhje më 11 dhjetor

17.10.2016 18:24

Me 110 vota dhe asnjë kundër, shpërbëhet Kuvendi pas iniciativave të ngritura nga LSDM dhe Pavle Trajanov i Lidhjes Demokratike...

Edhe në ditën e fundit të kësaj përbërje parlamentare, deputetët nuk hezituan që në fjalimet e tyre të fundit të shkëmbejnë kritika të ndërsjella.
 
Deputetja e LSDM-së, Renata Deskoska, tha se kanë kërkuar zgjedhje për t’i dhënë fund veprimit destruktiv të VMRO-DPMNE-së. 
 
“Erdhi momenti që t’i jepet fund shoqërisë destruktive të VMRO-DPMNE-së, t’i jepet fund kriminalitetit dhe korrupsionit të qeverisë VMRO-BDI, t’i jepet fund vjedhjes së parave të buxhetit dhe vetëkënaqësisë së kësaj qeverie dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, erdhi momenti të merret licenca për të vrarë, që dikush e përvetësoi në mënyrë joligjore. Prandaj sollëm iniciativën për shpërbërjen e Kuvendit, prandaj kërkojmë zgjedhje më 11 dhjetor, zgjedhje në të cilat nuk guxon të ketë tërheqje të votueshme për veshi, ku nuk guxon të ketë nga 50 njerëz në një adresë e të votohet me letërnjoftime fallco, ku votuesit nuk do shëtisin nga një vendvotim në tjetrin, ku nuk do të ketë trysni, kërcënime e nënçmime të votuesve”,- tha deputetja e LSDM-së, Renata Deskoska.                  
    
Por, deputeti i VMRO–DPMNE-së, Ilija Dimovski, tha se qytetarët më 11 dhjetor do t’i thonë stop politikave destruktive të opozitës dhe sërish do të rreshtohen politikbërjes së VMRO-DPMNE-së.  
                                                                                                                                    
“Deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti, tha se BDI në pushtet ka realizuar dy të arritura të rëndësishme për shqiptarët: zyrtarizimin e UT-së dhe themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Haliti u shpreh edhe kritik se gjatë qeverisjes së tyre nuk arritën të zbardhen proceset gjyqësore”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.                                                                          
“Të zbardhet rasti “Monstra” deri në fund apo të mbahen me burg të përjetshëm nëpër burgjet e Maqedonisë? Duhet të zbardhet rasti i “Kumanovës”, duhet të zbardhet rasti i “Gjorçe Petrovit”, por duhet të zbardhen edhe zënkat më të vogla që kanë ndodhur apo që dikush i ka menaxhuar, rrahjet nëpër autobusë dhe ngel një përbërje e ardhme parlamentare, një qeveri e ardhshme t’i qaset kësaj pune më me seriozitet dhe me të vërtetë këto raste të zbardhen deri në fund”,- theksoi deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.        
                                         
Kritika ndaj mënyrës së këtillë të shkuarjes në zgjedhje shfaqën deputetet e pavarura, Sollza Gërçeva dhe Roza Topuzova-Karevska.                                                                                            
“I gjithë ky proces joinkluziv i Përzhinës, ku njerëz të mbyllur në një dhomë na sollën në gjendje që Maqedonia të mos ketë zgjidhje. Asnjëherë Maqedonia nuk ka qenë më e partizuar se pas vendimeve të Përzhinës, asnjëherë nuk ka pasur më zgjidhje karikaturë se trupat e shpikura ad-hok”,- tha deputetja e pavarur, Sollza Gërçeva.
 
“Shpresoj që ky do jetë fundi i një prej mandateve më kontroverse që nga pavarësia e Maqedonisë, mandate që asgjë nuk premtonte që në fillim e në fund, pas gjithë turbulencave e asistimeve nga brenda dhe jashtë, po përfundon jo shumë ndryshe nga ajo që filloi”,- theksoi deputetja e pavarur, Roza Topuzova-Karevska.                                                                                                              
Para shpërbërjes së Kuvendit nuk kaluan propozimet e Pavle Trajanovit të Lidhjes Demokratike për ndryshimet në Ligjet e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtjen e dëshmitarëve.
 
Ndërkohë, që Kuvendi miratoi ligjet për emërimin e anëtarëve të Komisionit rregullator, Ligjin për banka për veprimtari inovative dhe propozim-programin për shënimin e përvjetorëve jubilarë.
 
MERAL ISMAILI