Botë

Luftimet në Siri, Turqia paralajmëron luftën e tretë botërore

17.10.2016 21:39

Lufta siriane është duke e rrokullisur me shpejtësi botën drejt një konflikti të armatosur global...

Lufta siriane është duke e rrokullisur me shpejtësi botën drejt një konflikti të armatosur global, ku Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do ta gjejnë veten përballë njëra-tjetrës shumë shpejt nëse nuk gjendet një zgjidhje e përbashkët. Paralajmërimi vjen nga Turqia.
 
“Nëse kjo lojë “tërhiq e mos e këput” vazhdon, më lejoni që të jem i drejtpërdrejtë, do të mbërrijmë në një pikë kur Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të jenë në luftë me njëra-tjetrën”,- deklaroi para gazetarëve zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulus. 
 
Në Zvicër pritet të nisin bisedime të reja mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, në përpjekje për të arritur një armëpushim të ri në Siri. Sekretari i Shtetit, John Kerry, dhe homologu rus, Sergei Lavrov, aktualisht ndodhen në Lozanë, ku po zhvillojnë një takim me delegatë nga Turqia, Arabia Saudite, Irani dhe Katari.
 
Grupet e bamirësisë kanë bërë vazhdimisht thirrje për një armëpushim 72-orësh në Alepo për të mundësuar shpërndarjen e ndihmave, por zyrtarët kanë hedhur poshtë çdo kërkesë.
 
Presidenti sirian, Bashar al Assad, është zotuar se do të vazhdojë “spastrimet” e qytetit të Alepos nga rebelët. 
 
Mbi 370 persona kanë mbetur të vrarë nga bombardimet në qytetin lindor.