Panairi i Shkupit, një javë aktivitete nga teknologjia tek kulinaria
U hap në Shkup edicioni i 42-të i panairit “Tehnoma 2016”....

U hap në Shkup edicioni i 42-të i panairit “Tehnoma 2016”. Deri në 22 Tetor, në këtë panair do të prezantohen ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha nga lëmia e metalurgjisë, energjetikës, ndërtimtarisë dhe elektronikës.
Për herë të parë sivjet, me moton “Fillo dhe rritu”, mbahet edhe “Tehno-invent”, dedikuar kompanive start up. Një ndërmarrje e tillë është edhe “Eko energies”, distributor i brendit MIDEA.
“Ne jemi në bashkëpunim me distributorët tjerë në Greqi, Kosovë e Shqipëri. Kemi bashkëpunimet tona por ato janë interne, biznes me biznes, por jo në masë që të dalim të prezantohemi në firma tjera. Dy deri në tre vitet e ardhshme mendojmë të jemi përfaqësues vetëm për Maqedoninë, sepse ne jemi firmë e re, kemi shumë për të bërë”,- deklaroi distributori i brendit “Midea”, Sami Morina, nga “Eko Energies”.
Edhe në pjesën e panairit kushtuar transportit dhe logjistikës vërehet bashkëpunimi mes firmave. Për Maqedoninë është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me portin detar të Durrësit, si rrugë detare mjaft e leverdishme drejt Europës dhe Botës.
“Është një nga synimet dhe strategjitë tona për të lidhur shtetet e rajonit të Ballkanit që nuk kanë dalje direkte në det. Jemi bashkëpunëtorë dhe konkurrente të fuqishëm me portin e Selanikut, Barit portin e Malit të Zi dhe portet e tjera të rajonit”,- tha zëvendësdrejtori i Portit të Durrësit, Artjan Qiriçi.
Por, në panair nuk po konkurrojnë vetëm ndërmarrjet me ofertat e tyre. Një garë interesante zhvillojnë sot dhe nesër edhe 100 kuzhinierë nga Ballkani. Shqipëria prezantohet me studentët e institutit kulinar.
“Tradita është bazë e çdo kuzhine, qoftë kuzhinë mesdetare, çfarëdo qoftë, baza gjithmonë është kuzhina tradicionale, ajo me të cilën njeriu është ushqyer qysh në fëmijëri”,- theksoi profesori i Institutit Kulinar në Shqipëri, Alban Veliu.
Panairi do të punojë prej orës 10 deri në orën 19, çmimi i hyrjes do të jetë 90 denarë, apo 40 denarë për hyrjet grupore të organizuara. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
