Maqedoni
Veljanovski firmos vendimin zyrtar, Maqedonia në zgjedhje më 11 dhjetor
18.10.2016 16:10
Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski, nënshkroi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve më 11 dhjetor...

Veljanovski uroi që vendi të tejkalojë testin, duke u angazhuar për një periudhë parazgjedhore të qetë dhe demokratike.
“Me këtë akt dhe në përputhje me rregullat e demokracisë, mandatit sërish ia kthejmë popullit, i cili ka autoritetin më të lartë dhe më legjitim për të gjykuar dhe vendosur se cili opsion politik do të duhet të drejtojë me shtetin. Ndërkohë, Maqedonia do të hyjë në një periudhë të ndërlikuar me aktivitete të shtuara të partive politike. Sinqerisht besoj se gjithçka do të kalojë në një atmosferë dinjitoze dhe të matur, kulminacion i së cilës do të jenë zgjedhjet e 11 dhjetorit”,- deklaroi kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski.
Veljanovski në emër të kolegëve deputetë falënderoi qytetarët për besimin e dhënë në zgjedhjet e vitit 2014 me shpresën se kanë arritur të arsyetojnë besimin e tyre edhe përkundër vështirësive që ka shkaktuar kriza politike.
Paraprakisht, Veljanovski takoi kryetarin e KShZ-së, Aleksandër Çiçakovski, të cilin e ka njoftuar për shpalljen e zgjedhjeve.
Vendimin Vlejanovski do ta dorëzojë në KShZ, të cilët me automatizëm do të duhet të vendosin për afatet ligjore të aktiviteteve parazgjedhore, por edhe se çfarë do të ndodhë me disbalancin e votuesve në njësitë zgjedhore.
Dje deputetët me 110 vota vendosën shpërbërjen e kuvendit për të shkuar në zgjedhje me qëllim të tejkalimit të krizës politike në vend.
MERAL ISMAILI
